Pikë referimi në fushë, por edhe model i një sistemi të tërë biznesi. Gjithçka vetëm në tri muaj e gjysmë. Ai është Kuaduo Asamoah, 20 vjeç, ylli i ri ganez i Udinezes, emblema e fabrikës së talenteve të ndërtuara gjatë këtyre viteve nga familja Poco.
Intinerari, që Kuaduo e ka të ngjashëm me shumë djem të tjerë të Udinezes, është ai i konsoliduar prej kohësh: pasi u ble nga Belinxona (që e kishte marrë nga Liberty, klubi ganez nga ku ka ardhur edhe Muntari), duke i blerë kartonin për 700 mijë euro, Udinezja në sezonin e shkuar e shiti në formë huazimi te Torino (ndonjë ndeshje me skuadrën e të rinjve dhe asgjë më shumë), duke i ruajtur praktikisht një vend të sigurt në organikë për këtë vit.
Tani Asamoah mund të thotë se ia ka dalë. “Kali i palodhur” është bërë një pikë fikse në mesfushën bardhezi dhe vlen më shumë se 20 milionë euro, nëse është e vërtetë që Çelsi i ka afruar 22, duke iu refuzuar edhe oferta madje. “Është një fenomen, - tha të dielën Poco duke “e ngrënë” me sy pas golit të tij të parë italian, - e ka topin të ngjitur pas këmbe dhe nuk e humb asnjëherë…”.
Deri në Krishtlindje, kishte mbetur me rezervat e skuadrës së dytë friulane, me vetëm një ndeshje në Kupën e Italisë. Tani, pjesa më e vështirë do të jetë rezistimi ndaj “mësymjeve” verore në merkato. Por ky është sinjali: do të thotë se një tjetër bast u fitua.
Asamoah është maja e një “asjbergu”, e një serie talentesh, që Udineze i ka shpërndarë në qarkullim në Itali dhe Europë dhe që mund t’i rikthejë në bazë për të gjetur kurorëzimin e tyre përfundimtar. Emrat më të lakuar janë ato të Barretos (Bari) e Kandreva (Livorno), por klubi bardhezi, mes huazimesh e bashkëpronësish, mund “të peshkojë” në një hapësirë më të madhe: janë 46 lojtarët që ka në pronësi dhe qarkullojnë mes Austrisë, Belgjikës, Norvegjisë, Rumanisë, Rusisë, Spanjës, Ukrainës e pa dyshim Italisë, ku luajnë 37. Duke konsideruar edhe lojtarët që janë nën kontratë në Udine, mes skuadrës së parë (25) dhe asaj të të rinjve (11), Udineze ka një “forcë pune” prej 82 futbollistësh.