Aleks Del Piero në 360 gradë. Një muaj e gjysmë nga fundi i kampionatit italian, kapiteni i Juventusit bën një bilanc të deritanishëm të sezonit bardhezi, pranon gabimet, mendon mbi të tashmen me një vështrim tek e ardhmja dhe bën disa saktësime:
“Unë nuk kam vendosur asnjëherë veto ndaj Kasanos, sa i takon merkatës nuk jap mendime”. Pstaj shton: “Tani të mendojmë për ndeshjet e mbetura”. Edhe pse ambiciet janë të tjera dhe nuk i fsheh: “Jam i lodhur nga vendet e dyta”.
Në rrëfimin e gjatë, sulmuesi i Juventusit i prek nga pak të gjithë argumentet. E fillon me merkaton, ku bën menjëherë një sqarim: “Klubi nuk më ka pyetur asnjëherë për blerjet dhe e them në mënyrë të qetë e të qartë, sepse nuk ka ndikim nga ana ime”.
Pra, është e pashmangshme pyetja mbi “veton” ndaj Kasanos, së cilës Aleksi i përgjigjet: “Unë nuk i kam penguar zërat mbi ardhjen e Kasanos. Sidoqoftë, nuk ekziston asnjë veto nga ana ime ndaj asnjë lojtari”. Më pas kalohet te e tashmja, që në këtë rast është sigurimi i vendit të dytë, pas “braktisjes” së vendit të parë dhe skualifikimit nga Liga e Kampioneve: “Ne jetojmë mes ambiciesh, ëndrrash dhe dëshirash në jetë, - shpjegon kapiteni juventin.
- Edhe pse për momentin kemi objektivin e kupës, nuk kemi aspak ndër mend të dorëzohemi edhe për kampionatin, ndonëse Milani na ka arritur me pikë. Dhe në fund, nëse shikojmë situatën në perspektivë, nuk mund të mos llogarisim hapat që kemi bërë përpara: dy vjet më parë ishim në Serinë B, u kthyem në A, u kualifikiam në Champions dhe tani duhet të fitojmë diçka siç është Kupa e Italisë.
Edhe pse është më pak tërheqëse, mbetet gjithsesi një trofe”. Pra, për kapitenin e Juves Kupa e Italisë është “hapi i parë për të rishkruar historinë”, edhe pse nuk e fsheh që ambiciet janë të tjera: “Unë, nëse arrij të dal në vend të dytë ose të tretë, sërish do të mërzitesha, - vazhdon Del Piero. - Nuk më pëlqen aspak. Juventusit nuk i intereson vetëm të marrë pjesë në veprimtari, por edhe t’i fitojë ato. Të paktën kështu është mësuar në të shkuarën”.
Pastaj, duke folur mbi të ardhmen, numri 10-të bardhezi sqaron që lamtumira është akoma larg: “Do të vazhdoj të stërvitem në 100%, pastaj është trajneri ai që vendos. Jam mirë fizikisht, formën e kam të mirë dhe jam i bindur që mund të përfundoj një sezon të madh”.
Në fund, nuk mungon një batutë mbi kampionatin, ku Del Piero pranon gabimet e tij dhe të Juves, por përfshin edhe faktorë të tjerë: “Na kanë ndëshkuar ndeshjet e shumta, që kemi luajtur në mbrëmje në dimër si dhe gabimet e gjyqtarëve. Por kemi gabuar edhe ne. Kemi akoma shumë për të përmirësuar”.