28 prill 2009
Trajneri i kombëtares brenda ditës së premte
Emri i trajnerit të përfaqësueses shqiptare pritet të bëhet i ditur brenda ditës së premte nga Federata Shqiptare e Futbollit. Këtij trajneri do t’i jepet mundësia të zhvillojë një ndeshje miqësore me gjigantët e Milanit në stadiumin “Qemal Stafa” më 12 maj, ku në dispozicion do të ketë futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar. Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës kandidaturat me të cilët janë takuar Duka, Kasmi dhe Nuri këto ditë. Një nga më kryesoret, ajo e Jup Heinkes, mund të quhet e mbyllur, pasi ky trajneri mori drejtimin e Bajernit të Munihut pas largimit të Klismanit. Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, është takuar në Vjenë edhe me Kurt Jara, 58 vjeç, i cili në karrierën e tij ka drejtuar shumë ekipe në kampionatin austriak, gjerman, qipriot, dhe atë grek. Mes këtyre skuadrave është edhe Hamburgu. Trajneri i ri do të jetë në krye të përfaqësueses shqiptare në tre ndeshjet e mbetura për eliminatoret e botërorit “Afrikë e Jugut 2010”, dhe në fushatën për evropianin e vitit 2012.