25 prill 2009

Teuta, udhëkryqi i Tiranës në garën drejt titullit

klasifikimit ka qenë i madh. Teuta e drejtuar nga Sulejman Starova është padyshim ekipi që e ka bërë edhe më interesante Kategorinë Superiore. Sot, durrsakët udhëtojnë drejt kryeqytetit, për t‘u ndeshur me Tiranën e vendit të parë. Një sfidë që premton spektakël: secila nga skuadrat ka fituar një nga dy përballjet e këtij sezoni. Bardheblutë i kanë të gjitha arsyet përse duhet të jenë të kujdesshëm përballë kundërshtarëve, me të cilët kanë fituar në javën e dytë të kampionatit. Në "Niko Dovana" vendosi një gol i Migen Memellit. Por, prej asaj periudhe që tashmë duket shumë e largët, situata ka ndryshuar. Teuta është shndërruar në "macen e zezë" të pretendenteve, madje edhe të vetë 23-herë kampionëve. "Djemtë e detit" fituan përballjen e dytë, të zhvilluar në javën e 13-të: 1-2 në kryeqytet, me protagonist talentin Emiliano Vila. Ajo ndeshje "vulosi" krizën te Tirana, që humbi kryesimin, ndërsa një javë më pas u largua edhe tekniku boshnjak, Slishkoviç. Gjithsesi, ndihma indirekte që kryeqytetasit kanë marrë nga durrsakët nuk mund të mohohet. Në javën e 22-të të Superiores, ndeshja e fundit e fazës së dytë, Teuta fitoi 4-0 me Vllazninë, duke i dhuruar Tiranës vendin e parë në klasifikim dhe një kalendar më të favorshëm për fazën e tretë. Ata i mposhtën sërish shkodranët gjatë fundjavës së kaluar, duke e ngritur në tre numrin e fitoreve radhazi me kundërshtarë të fortë (më parë kishin thyer Shkumbinin dhe Dinamon). Lojtarët më të rrezikshëm të bregdetarëve janë padyshim Vila e Hysa, që së bashku kanë shënuar 18 nga 26 golat e skuadrës në këtë edicion. Pretendentja tjetër, Vllaznia e Haxhiosmanoviç, pret në fushën e saj Besën, në një sfidë ku tri pikët duken thjesht formalitet, për shkak të largimeve të disa titullarëve nga kavajasit. Dinamo luan me Shkumbinin për të konsoliduar vendin e tretë, ndërkohë që mjaft interesante janë edhe takimet në "zonën e ftohtë". Në Ballsh, Partizani ndeshet me Bylisin, në një takim që parashikohet mjaft i tensionuar. Apolonia pret Elbasanin, ndërsa Flamurtari udhëton drejt Lushnjës.