25 prill 2009
Duka në Vjenë, negociata për trajnerin e ri të Kombëtares
Interesimi i Shqipërisë për të përzgjedhur trajnerin e ri të Kombëtares tashmë ka hyrë në një fazë decizive. Do të jenë raundi i negociatave treditore, në fund të së cilave pritet të dilet me një emër konkret, i cili do të zërë vendin e lënë bosh pas largimit të holandezit Ari Han (të tërhequr me mirëkuptim, pas rezultateve të dobëta të kuqezinjve në tri ndeshjet e fundit në Grupin 1 eliminator të Botërori 2010). Drejtuesit e FSHF-së kanë përzgjedhur Vjenën, si vendin ideal për të zhvilluar tratativat me kandidatët, të cilët janë të interesuar për të marrë drejtimin e Shqipërisë. Udhëtimi drejt kryeqytetit austriak ishte parashikuar për të martën e kaluar, por për arsye ende të paqarta, u shty për të premten (dje). Pikërisht mëngjesin e djeshëm, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, së bashku me dy zëvendëspresidentët Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri, kanë prerë biletat për në Vjenë dhe rreth mesditës janë ngjitur në bordin e avionit të linjës. Lajmi tashmë është zyrtar. Atë e ka konfirmuar vetë presidenti i FSHF-së, kompetencë ekskluzive e të cilit është edhe emërimi i trajnerit të përfaqësueses kuqezi. Numri një i organit më të lartë në vendin tonë ka pohuar se "qëllimi i këtij udhëtimi është pikërisht ai i nisjes së një raundi deciziv bisedimesh me kandidatët përkatës". Sikurse është bërë e njohur, në zyrën e tij në FSHF gjatë ditëve të kaluara kanë mbërritur shumë kërkesa të trajnerëve të interesuar për të marrë timonin e kombëtares sonë për të ardhmen, por në negociatat e Vjenës do të marrin pjesë vetëm disa prej tyre, pikërisht ata që janë përzgjedhur nga drejtuesit e lartë të federatës në bazë të kritereve të parashikuara. Presidenti Duka nuk ka preferuar të japë asnjë emër konkret se kush do të jenë trajnerët me të cilët ai ka rënë dakord për zhvillimin e negociatave, duke lënë kështu vetëm hamendësime. Megjithatë, ai ka theksuar se negociatat do të zgjasin tri ditë (domethënë deri të dielën në mbrëmje). Kjo, sipas tij, është një kohë e mjaftueshme, nga e cila pritet të dilet me një emër konkret. Në këto negociata, Duka, Kasmi e Nuri nuk do të jenë të vetmit që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Burime të besueshme kanë saktësuar se në Vjenë, treshja e zyrtarëve të FSHF-së do të takohet edhe me avokatin Skënder Fani, i cili do t‘ju ofrojë asistencë juridike dhe jo vetëm. Fani jeton dhe punon prej shumë vitesh në kryeqytetin austriak. Duke shfrytëzuar njohjet e shumta që ka, ai mund të japë një ndihmë të konsiderueshme në këtë çështje. Avokati në fjalë nuk është i panjohur për FSHF, pasi duhet të kujtojmë faktin që në vitin 2006 ai ishte njeriu ndërmjetës në marrëveshjen e arritur me ish-trajnerin kroat të Kombëtares sonë, Oto Bariç. Bisedimet e para mendohet të kenë nisur që në orët e para të mbrëmjes së djeshme. Tashmë, gjithçka duket në rrugë të mbarë. Në këto tri ditë, përfaqësuesit shqiptarë pritet të krijojnë një bindje të qartë rreth një kandidati të përzgjedhur dhe me shumë mundësi të hënën Shqipëria do të gdhihet me trajner të ri.