25 prill 2009
Rraklli debuton me humbje te Bajern Hof
Altin Rraklli ka debutuar me humbje me amatorët e SpVgg Bajern Hof. Sulmuesi shqiptar, i rikthyer në futboll pas një pauze 2-vjeçare, u aktivizua përgjatë gjithë 90-minutëshit që skuadra e tij e re luajti në fushën e Selbitz, të vlefshëm për "Toto Cup". Rezultati final ishte 3-0 për vendasit, megjithatë duhet theksuar se Bajern Hof nuk ishte shumë e përqendruar në këtë aktivitet. Skuadra që militon në Bajern Liga është në luftë për mbijetesë në kampionat dhe afrimi i 38-vjeçarit që ka luajtur me Shtutgartin dhe Hertën e Berlinit ishte lëvizja kryesore e drejtuesve të klubit për të evituar vendet e fundit. Përpara sfidës me Selbitz, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, që në 63 ndeshje me fanellën kuqezi ka shënuar 11 gola, ishte shprehur mjaft në ankth për formën fizike. Gjithsesi, fusha tregoi të kundërtën. Stërvitjet e zhvilluara në ditët e fundit e kanë ndihmuar kavajasin të arrijë një nivel të kënaqshëm të formës, e cila e ka ndihmuar të luajë një ndeshje të plotë, në debutimin me ekipin modest në Gjermani.