27 prill 2009

Spaleti: Nuk e jap dorëheqjen

Paraqitja zhgënjyese e radhës e skuadrës së Romës ka shkaktuar zemërimin e presidentes Rosela Sensi. “Të gjithë të grumbulluar në qendrën stërvitore për gjithë javën, - ka urdhëruar ajo. - Roma duhet të bëjë një bilanc shumë të hidhur për sezonin që ka zhvilluar, gjysma e ekipit gjithmonë e dëmtuar, ka ardhur momenti të ndryshohet faqe.
Nuk më intereson të flas për Kupën UEFA, ose Champions Ligën, pretendoj profesionalitet dhe dinjitet. Kemi nevojë për përgjigje. Dua të kuptoj pse kemi marrë 12 kartona të kuq, të gjitha të ardhur si pasojë e protestave apo e qëndrimeve të gabuara. Spaleti është një edukator, e ftoj të rishikojë të gjitha episodet. E njëjta gjë vlen edhe për lojën, ka diçka që mungon përsa i përket përqendrimit.
Klubi do të bëjë detyrën e tij, por nëse po respekton detyrimet ekonomike për të garantuar kompetitivitet tani pretendon përgjigjen e përshtatshme për rrogat që paguan. Edhe Spaleti duhet të vazhdojë të bëjë rolin e tij të motivuesit”, ka thënë ajo. Por trajnerit gurmbullimi i skuadrës nuk i ka pëlqyer: “Kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme pa qëndruar të grumbulluar në qendrën stërvitore, kështu vihet në diskutim gadishmëria jonë dhe kjo nuk është e drejtë.
Të dorëhiqem? Nuk më shkon në mend”. Ndeshja kundër Fiorentinës ka qenë turpëruese për verdhekuqtë dhe ka sjellë edhe zemërimin e drejtuesve të klubit. Dhe të thuash se mund të ketë qenë ndeshja e fundit e familjes Sensi në drejtim të Romës.
Ekziston mundësia që skuadra në ditët në vazhdim t’i shitet një grupi biznesmenësh zviceranë dhe gjermanë, që duket se kanë kontaktuar me ish-drejtorin sportiv të verdhekuqve Franko Baldini për të diskutuar për drejtuesit e ardhshëm të klubit. Ndërkohë, arritja e vendit të katërt duke e pamundur edhe për Spaletin. “Tani për Championsin është shumë e vështirë. Nuk e di nëse ky është fundi i një cikli”.