Më në fund futbolli fiorentin ka treguar vlerat e tij, me ritëm, i fortë, shkatërrues. Një ndeshje e fituar pas një jave që nuk ka qenë si gjithë të tjerat, gjatë së cilës tifozeria vjollcë ka kërkuar më shumë respekt nga lojtarët dhe më pak festa nëpër diskoteka. “Ajo pankartë e tifozëve ka qenë një stimul më shumë për ne, - ka pranuar Jovetiç. - Pozicioni i sulmuesit të dytë? Më pëlqen, duhet të vrapoj shumë, por ndihem shumë mirë përkrah Xhilës”. Duhet pasur kujdes pasi djaloshi po rritet.
“Jovetiç, - ka thënë Prandeli -, ka cilësi të rëndësishme dhe më ka bindur”. Më pas ka folur edhe Diego Dela Vale: “Do të luftojmë deri në fund. Ndoshta nuk po luajmë mirë në krahasim me vitet e kaluara, por ajo që ka rëndësi janë rezultatet dhe ne jemi aty, ky është mesazhi im për qytetin. “Pankarta e tifozëve? Ndonjëherë, një kontestim mund të japë rezultate, por brenda atij mesazhi kishte disa fjalë që edhe mund të ishin evituar. Xhila drejt largimit? Jo, është blerja jonë më e madhe”.
Xhilardino ka shënuar një dygolësh dhe ka ndihmuar ekipin me lojën e tij. “Kemi qenë perfekt”. Tani ndodhet në kuotën e 18 golave, ashtu si Ibra, por pa egzekutuar asnjë penallti. “Dhe tani, - ka qeshur Prandeli -, lojtarët do të kenë dy ditë pushim dhe mund të qëndrojnë jashtë deri në orët e vona, mund të bëjnë atë që duan… I njoh mirë lojtarët e mi, kanë karakter dhe dinë të reagojnë. Duhej të jepnim një përgjigje në fushë dhe e kemi bërë këtë.
I falenderoj tifozët për mbështetjen. Klasifikimi? Nuk e shikoj, edhe pse e di se do të luftojmë deri në fund për vendin e katërt, edhe me Romën”, ka thënë Prandeli. Në fund i ka ardhur radha Gobit, autori i golit që ka fiksuar rezultatin në 4-1. “Në diskotekë për të festuar? Jo në shtëpi. Ndoshta organizojmë diçka gjatë javës, por gjërat egzagjerohen shumë nga shtypi”, ka thënë ai.