Shënoi dje një dygolësh, ndonëse me 11 metërsh, por ajo që ka lënë më shumë përshtypje ishte forma e Rikardo Kakàsë: të paktën nga ajo që u pa dje kundër Palermos, duket se është kthyer djaloshi i “Topit të Artë”. Mesfushori brazilian, nuk e fsheh kënaqësinë e shënimit të golave me fanellën kuqezi: “Sigurisht që golat kanë vlerë për mua, po arrij në një objektiv të rëndësishëm që janë 100 golat me fanellën e Milanit, pranon ai.
- Më mungojnë edhe shtatë, kur kanë mbetur edhe pesë javë kampionat të paktën nga ky sezon. Është një objektiv i rëndësishëm dhe një objektiv personal para së gjithash”. Megjithatë, të arrijë deri në kuotën e 100 golave, nuk duket një bast i pamundur.
Kakà shpjegon: “Do të përpiqem, duhen edhe pesë javë deri në fund të sezonit, nuk janë shumë dhe është e vështirë. Por gjithsesi mbetet në objektivat e mi”. Me fitoren e djeshme ndaj Palermos, Milani shkon në kuotën e 67 të pikëve dhe kalon Juventusin në vend të dytë, i cili barazoi me Rexhinën e vendit të fundit.
“Më mirë akoma, buzëqesh Kakà. - Tani jemi të dytët në renditje të vetëm. Luajtëm mirë, këto pikë janë shumë të rëndësishme. Po i afrohemi kryesueses së kampionatit, që është Interi, por duke qenë në vend të dytë të vetëm, është një objektiv i rëndësishëm. Real i Madridit? Mjaft, unë nuk flas më për merkato”.
Edhe një herë tjetër nuk ka munguar në “takimin” me golin për Milanin, Pipo Inzagi, i cili shënoi golin e 10 të në 7 ndeshje dhe të 12 in gjithsej në këtë kampionat. Bomberi kuqezi, flet për objektivat e ardhshëm, por edhe mbi të ardhmen e Ançelotit. 150 gola: është një objektiv i rëndësishëm? “Të bëhet qejfi, thotë Inzagi.
- Për një sulmues golat dhe numrat janë të rëndësishëm, por gjëja që më bën më të lumtur, është se në këtë periudhë jam mirë fizikisht. Ka dy vjet që ndihem shumë mirë, por jo gjithnjë luaj si titullar. Mendoj se është normale, janë edhe të tjerët. Vitin e shkuar shënova 18 gola dhe i luajta thuajse të gjitha ndeshjet. Këtë vit kam qenë gjithnjë i gatshëm.
Ndonjëherë luaj, ndonjëherë jo, por kur më jepet mundësia jam gjithnjë gati. Pas dëmtimit në gju, nuk pata frikë nga asgjë. Për karakteristikat e mia, shokët e mi janë të gjithë vendimtarë: nëse vijnë krosime, unë mund të luaj brenda zonës. Në këto momente ndihem si shumë vite më parë”.
Tani Milani është në vend të dytë: “Në të vërtet nuk ka shumë rëndësi për objektivin tonë të dalësh në vend të dytë apo të tretë. Ne duhet të arrijmë në Champions. A do të largohet Ançeloti? Unë kam një shpresë timen që trajneri do të qëndrojë me ne, sepse nuk arrij të shoh një Milan pa Ançelotin”.