24 prill 2009
Shqipëria, "tris" miqësoresh. Më 12 gusht luhet me Qipron
Shqipëria ka siguruar edhe një tjetër kundërshtar për ndeshje miqësore në vitin 2009. Burime zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit konfirmuan se përfaqësuesja kuqezi do të luajë me Qipron më 12 gusht. Takimi do të zhvillohet në vendin tonë, sepse përveç vëzhgimit të futbollistëve, ajo do të shërbejë si përgatitje për sfidën e parafundit në Grupin 1 eliminator të Botërorit 2010, më 9 shtator në stadiumin "Qemal Stafa" me Danimarkën. "Sipas procedurës së zakonshme, u kemi dërguar ftesa shumë federatave homologe, për të fiksuar një ndeshje miqësore në datën e lirë të FIFA-s në muajin gusht", pohoi sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici. "Qipro u shpreh e gatshme t‘i përgjigjej ftesës, madje sipas kërkesave tona, që takimi të luhej në shtëpi". Shqipëria ka luajtur tri herë me përfaqësuesen nga ishulli i Afërditës (të gjitha ndeshje miqësore dhe rastësisht të zhvilluara në muajin gusht), duke mos regjistruar asnjë fitore. Qipriotët kanë fituar sfidën e parë, të zhvilluar më 19 gusht 1998 në Nikosia, me rezultatin 3-2. Përballja e dytë u luajt ekzaktësisht dy vjet më pas në Tiranë, ku skuadrat u ndanë në barazim 0-0. Takimi i tretë dhe i fundit është ai i gushtit 2004, ku kuqezinjtë u dorëzuan sërish në kryeqytetin e skuadrës, që aktualisht renditet e 74-ta në rang-listën e FIFA-s, me shifrat 2-1. Futbolli qipriot nuk është i panjohur për vendin tonë, sepse në kampionatin vendas (Divizioni i Parë), militojnë mjaft lojtarë shqiptarë: Arjan Beqaj (Anorthosis), Klodian Duro (Omonia), Altin Haxhi (Apoel) e Blerim Rustemi (Alki), ndërkohë që në të kaluarën, aty kanë luajtur edhe Admir Teli e Isli Hidi.PërgatitjetQipro, e drejtuar nga trajneri grek Angelos Anastasiadis, është kundërshtari i tretë me të cilin kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshje miqësore në gjysmën e dytë të këtij viti. Vetëm pak kohë më parë, FSHF-ja ka zyrtarizuar edhe përballjet me Gjeorgjinë (më 10 qershor) dhe Skocinë (në fillim të tetorit). Strategjia e përdorur nga institucioni që drejton sportin më popullor në vend tregon qartë përgatitjen e terrenit për trajnerin e ri të Kombëtares. Pas largimit të holandezit Ari Han nga Shqipëria, detyra kryesore e drejtuesit të ri të stolit, që pritet të emërohet në harkun e pak ditëve, është të formojë grupin për eliminatoret e Euro 2012. Pavarësisht emrit, plani është që tekniku i ri të ketë në dispozicion minimalisht tetë ndeshje për të krijuar një ide të qartë për kontingjentin. Deri më tani gjashtë takime janë të sigurta, së bashku me tri eliminatoret e mbetura në Botërorin 2010: ndërkohë që në muajin nëntor (periudha e "play-off" në grupe), mund të luhen edhe dy miqësore të tjera. Datat e lira janë të shumta edhe në vitin 2010, kur FIFA ka parashikuar data miqësoresh për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në fazën finale të evenimentit që zhvillohet në Afrikën e Jugut.