24 prill 2009

Juventus përkrah Ranierin

Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, ka marrë përkrahjen e klubit, pavarësisht zemërimit të tifozëve ndaj tij pas një jave të vështirë për klubin nga Serie A. Ranieri dhe drejtuesit e klubit janë kritikuar ashpër nga tifozët e Juventusit pas eliminimit nga Kupa e Italisë me humbjen 2-1 në shtëpi nga Lazio, që vazhdoi serinë e tyre negative në katër ndeshje para udhëtimit te ekipi i fundit nga Serie A, Reggina të dielën. Por, presidenti i klubit, Giovanni Cobolli Gigli, është munduar të zbusë tensionin duke premtuar përforcime për sezonin e ardhshëm. “Drejtorët tanë janë duke punuar në harmoni me Ranierin për të përforcuar ekipin që kishte paraqitje të mira deri para disa javëve, por më pas në disa raste u tregua inferior ndaj kundërshtarëve”, deklaroi ai për televizionin italian Rai. Juventus do të përfundojë sezonin pa asnjë titull, pasi tashmë gjendet 10 pikë prapa liderit Inter në Serie A, ndërsa është eliminua nga Liga e Kampionëve dhe tani Kupa e Italisë. Mirëpo, trajneri Claudio Ranieri refuzon të dorëzohet pas spekulimeve të vazhdueshme rreth të ardhmes së tij.“Nuk do të largohem. Tani duhet të reagojmë menjëherë”, tha ai për të përditshmen sportive italiane La Gazzetta dello Sport. “Kritikat e tifozëve nuk na vijnë mirë, por jemi duke luftuar dhe duhet të dimë të pranojmë komplimentet e edhe kritikat”, përfundoi ai.