24 prill 2009

Kupa, gjysmëfinalet rikthejnë "modën" e gjyqtarëve të huaj

Thirrja e gjyqtarëve të huaj për ndeshje të rëndësishme të futbollit shqiptar tashmë është kthyer në një modë për shumë klube vendase. Tashmë është e sigurt që dy sfidat e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, të cilat do të luhen më 29 prill, do të gjykohen nga "xhaketat e zeza", të cilat do të vijnë nga përtej kufijve. Lajmi është mësuar nga një burim i besueshëm në FSHF, që u referohet zhvillimeve të fundit rreth kësaj çështjeje. Tashmë është vendosur përfundimisht se, gjysmëfinalen Shkumbini-Flamurtari do ta arbitrojë një i huaj. Skuadra vlonjate, e interesuar direkt, ka derdhur në FSHF shumën, e cila do të shkojë për gjyqtarin, që pritet të bëhet i njohur shumë shpejt. Ndërkohë, për ndeshjen Tirana-Vllaznia, janë shkodranët ata që kërkojnë me ngulm një gjyqtar jo shqiptar. Por, ende nuk ka një vendim përfundimtar, pasi FSHF-ja është në pritje të përgjigjes së klubit kuqeblu, nëse është e gatshme ta paguajë shifrën e përcaktuar për gjyqtarët e huaj apo jo. FSHF-ja dërgon kërkesat në federatat e ndryshme, të cilat pritet t‘u sugjerojnë gjyqtarë, që do të jenë të disponueshëm për të ardhur në Shqipëri. Historia e gjyqtarëve të huaj në vendin tonë e ka zanafillën në vitin 2002, duke numëruar deri tani 9 të huaj që kanë arbitruar ndeshjet kupe ose kampionati. Ishte pikërisht spanjolli Fernandez Marin, i cili në këtë vit do të thirrej për të gjykuar takimin Dinamo-Tirana (0-0) e vlefshme për Kampionatin e 63-të Kombëtar. "Xhaketa" e dytë e zezë që do të shkelte vendin tonë është italiani i njohur Xhanluka Paparesta, i angazhuar në ndeshjen "play-off" Lushnja-Apolonia (4-1)e vlefshme për kampionatin e 64-t në 2003-shin. Po atë vit, bashkëkombësit e Paparestës, pikërisht Alfredo Trentalanxhes, do t‘i besohej finalja e Kupës Dinamo-Tirana (1-0). Në vitin 2006, finalen midis Vllaznisë e Tiranës e gjykoi italiani Stefano Farina. Gjermani Babat Rafati është i pari gjyqtar i huaj për sezonin 2001-2008 që do të gjykojë finalen e Kupës Vllaznia-Tirana (7 maj, 2-0). Ndërsa po këtë vit do të pasohej nga Paolo Taliavento (Itali) për "finalen" e kampionatit Dinamo-Partizani (17 maj, 2-1) dhe Andrea Romeo (Itali) për takimin e fundit të Kategorisë I, Laçi-Apolonia (18 maj, 1-1).