23 prill 2009
Shqipëria do vetëm trajner të huaj
Federata e Futbollit e Shqipërisë (FSHF) ka përjashtuar mundësinë që pasardhës i Arie Haanit në bankinën e përfaqësueses së Shqipërisë të jetë një trajner shqiptar.Ditëve të fundit në Shqipëri është spekuluar se pasardhës i holandezit mund të jetë një trajner shqiptar. Mirëpo, sipas shefit të zyrës për informim pranë FSHF-së Tritan Kokona, kjo nuk pritet të ndodhë. “Preferencat e grupit që drejtojnë FSHF-në janë që trajneri i Kombëtares të jetë i huaj”, ka thënë Kokona. Ndërsa pas largimit të Arie Haan nga Kombëtarja shqiptare, në Federatën Shqiptare të Futbollit ka filluar zyrtarisht ‘gjuetia’ për trajnerin e ri. “Ne po shqyrtojmë kandidatët, pasi dëshirojmë që ta gjejmë një trajner që punon në faza afatgjate. Deri në fund të këtij muaj ose fillimi i muajit të ardhshëm do të vendoset për trajnerin e ri”, ka theksuar Kokona. Në mesin e trajnerëve që kanë shprehur dëshirë të drejtojnë ekipin kuqezi janë edhe emrat e disa trajnerëve të njohur si slloveni Sreçko Katanec, rumunët Anghel Iordanescu, George Hagi dhe italianët Nevio Skala, Alberto Malesani dhe Eugenio Fasheti.