23 prill 2009

Lëvizjet e verës

Transferimet e futbollistëve të mëdhenj evropianë pritet të mos mungojnë as në afatin kalimtar të kësaj vere. Kalimi më i madh pritet të jetë ai i mesfushorit të Bayern Munchen, Franck Ribery, të cilin e kërkojnë Real e Chelsea. Kjo e fundit pritet të bëjë ndryshimet më të mëdha, duke liruar futbollistë si Anelka, Deco e Malouda. Ndërsa, Ibrahimovic e Torres priten të mbeten në klubet përkatëse. Edhe këtë verë nuk do të mungojnë lëvizjet spektakolare të futbollistëve të mëdhenj. Mbi të gjitha, ndryshime pritet të ketë në klubet angleze, të cilat si zakonisht janë aktive në afatin kalimtar të verës.Menaxheri i FIFA-s dhe njëkohësisht ndërmjetësuesi i ekipeve të ndryshme evropiane, italiani Ernesto Bronzetti, i cili i ka zbuluar disa nga sekretet që fshihen brenda klubeve, rreth shitblerjeve të futbollistëve.Ai e ka filluar rrëfimin e tij me skuadrën e Bayern Munchen. Kampioni aktual gjerman gjatë verës mund të mbetet pa yllin e vet, francezin Franck Ribery. “Ribery do ta lëshojë skuadrën bavareze. Destinacion i tij i ardhshëm mund të jetë Chelsea ose Real Madrid, të cilët janë të gatshme të ofrojnë disa miliona euro. Problemi i vetëm është se Bayern kërkon shumë, deri në 50 milionë. Por, njëra nga këto dy skuadra në fund do ta bëjë të vetin talentin francez, i cili tashmë i ka mbushur 26 vjet dhe garanton gola e asistime në vazhdimësi”, theksoi Bronzetti.Sipas ekspertit të shitblerjeve të futbollistëve, Chelsea i pronarit Roman Abramovich pritet t’i bëjë ndryshimet më të mëdha gjatë verës, duke bërë rinovim të skuadrës. “Do të largohen Anelka (mund të shkojë në Manchester City), Deco (Mourinho e do në Inter, mundësi shkëmbimi me Quaresma), Ballack (do të rikthehet në Gjermani) dhe Malouda. Ky i fundit i pëlqen mjaft Romës, e cila e kërkonte edhe gjatë verës që shkoi. Por, francezi kushton shumë, si kartoni i tij ashtu edhe rroga”, vazhdoi menaxheri italian.Ai i cili nuk do ta lërë klubin sigurisht do të jetë sulmuesi suedez i Interit, Zlatan Ibrahimovic, i cili megjithatë ishte i zhgënjyer pas eliminimit të hershëm të Nerazzurrëve nga Liga e kampionëve. “Jam i bindur se Ibra do të mbetet në Inter. Asnjë klub evropian nuk e ka ndërmend të shpenzojë 12 milionë euro në vit për një futbollist, aq sa i siguron Inter këtij futbollisti. Por, nuk duhet harruar se edhe për kartonin e tij do të nevojiteshin 100 milionë euro të tjera”, shtoi Bronzetti i cili e përmendi edhe sulmuesin spanjoll të Liverpool, Fernando Torres, për të cilin flitej se mund të lëshojë Anglinë në fund të sezonit. “Nuk do të lëvizë as Fernando Torres, i cili megjithatë herët ose vonë do të luajë në Itali. Këtë e ka thënë edhe vetë ai. Jam i bindur se do ta realizojë këtë ëndërr. Do të mbetet në Angli edhe qendërmbrojtësi Agger që e kërkon Milani. Liverpool është duke ia vazhduar kontratën atij. Kontratën e ka vazhduar edhe menaxheri Benitez, por Manchester City vazhdon ta kërkojë, nuk i dihet kurrë. Në ‘mercato’ befasitë dhe gjuajtjet janë çështje ditësh...”, shpjegoi Bronzetti.Në fund ai tregoi se për shkak të krizës ekonomike, klubet e mëdha evropiane nuk e kanë ndërmend të shpenzojnë më para si në të kaluarën, duke i evituar kështu transferimet me shumë marramendëse.“Barcelona, për shembull, nuk e ka ndërmend ta kalojë shumën e 7 milionë eurove për një futbollist në vit. Aq e ka rrogën vjetore Messi, futbollisti më i mirë i katalonasve. As Chelsea nuk do të shkojë më shumë se 7 milionë, sa marrin Terry e Lampard”, përfundoi menaxheri Ernesto Bronzetti.