27 prill 2009

Sedorf: Historia ime në 500 ndeshje

Sedorf ka folur për karrierën e tij, duke filluar që nga debutimi në kampionat. “Isha pak më shumë se 16 vjeç dhe me Ajaksin kemi luajtur në fushën e Venlosë. Jam futur në minutat e fundit të ndeshjes. Prej disa javësh trajneri më grumbullonte me skuadrën dhe më merrte në stol.
Pak ditë më parë kisha bërë debutimin tim edhe në Europë”. Më pas e ka radhën ndeshja më e bukur e 499 ndeshjeve të luajtura nga holandezi: “Një derbi i Madridit i zhvilluar në “Bernabeu” disa orë pas lindjes së vajzës sime. Jam larguar nga spitali në kohë për t’u bashkuar me shokët e ekipit në hotel. Atletiko ka kaluar në avantazh dhe unë shënova golin e barazimit 1-1 me anë të një goditjeje prej 45 metrash”.
Ndërkohë, kanë ndryshuar disa gjëra nga ndeshja e parë tek ajo numër 500. “Gjatë kësaj kohe kam mësuar t’i kontrolloj më mirë momentet e vështira”, ka thënë Sedorf, i cili nuk i ka vënë vetes një objektiv të qartë në lidhje me numrin e ndeshjeve që ka ndërmend të luajë para se të largohet nga futbolli.
“Nuk kam menduar asnjëherë për këtë, edhe pse nuk jam shumë i dhënë pas numrave. Një mik më ka njoftuar se po arrija në kuotën e 500 ndeshjeve dhe se më mungojnë vetëm 5 gola për të arritur në shifrën e 100 golave në karrierë.
Edhe kjo më duket një arritje e bukur, duke parë se nuk kam qenë asnjëherë gjuajtësi i penalltive në ekipet që kam luajtur apo zgjedhja e parë për egzekutimin e goditjeve të dënimit”. Në lidhje me largimin e mundshëm të Ançelotit.
“Nuk varet vetëm nga ai. Sigurisht, Ançeloti është një njeri i aftë dhe i zgjuar për të drejtuar rinovimin e skuadrës”. Në fund ka ardhur një koment për ecurinë e Milanit në kampionat. “Në këtë sezon jemi kushtëzuar nga dëmtimet e shumta. Ndeshja e së vërtetës ka qenë derbi i
fazës së dytë. Nëse do të kishim fituar ose barazuar do të kishim pasur kohë të mjaftueshme për të rekuperuar. Gjithsesi, mendoj se kur kundërshtarët janë më të fortë, duhet pranuar. Interi ka qenë ekipi më i mirë në këtë kampionat”, ka thënë Sedorf.