27 prill 2009

Ançeloti: Me Milanin edhe një vit tjetër

“Nëse nuk shkoj në Londër nuk është për faj të anglishtes time. Kam edhe një vit kontratë me Milanin, më pas do të shihet. Çelsi? Unë nuk jam takuar me asnjeri”. Ançeloti ka përgenjeshtruar edhe një herë zërat që flasin për një transferim të tijin në Londër sezonin e ardhshëm: “Nuk është e nevojshme të shpenzohet një shumë marramendëse. Me disa zgjedhje të kujdesshme do të arrijmë të evitojmë problemet që kemi pasur këtë vit: mendoj për Kjaer të Palermos dhe për Astorin, i cili tani luan me Kaljarin”. Pra, Karlo Ançeloti ka përsëritur për të disatën herë se nuk do të lëvizë nga Milani.
“Me klubin kam një marrëdhënie të shkëlqyer dhe nuk kam kërkuar në asnjë moment rinovimin, - ka thënë tekniku në prag të ndeshjes së “San Siro”-s kundër Palermos. - Me Milanin nuk egziston vetëm një marrëdhënie profesionale, por diçka që shkon përtej. Kur do të vijë momenti për të marrë një vendim, kjo do të ndodhë me mirëkuptimin e të dyja palëve, nuk do të ketë asnjë përplasje, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë këtë vit pasi kontrata ime skadon në vitin 2010-të. Trajneri i ardhshëm i Milanit nuk do të ketë asnjë problem.
Do të jetë i informuar shumë mirë mbi situatën e skuadrës dhe të klubit. Sigurisht do të jetë një trajner që do të jetë i përfshirë në çështjet më të rëndësishme të klubit. Më duken të dhëna të qarta…”. Trajneri kuqezi ka filluar të mendojë që tani për merkaton e verës që do të zhvillohet nën shenjën e kursimit. “Kjaer është një mbrojtës shumë i ri, që ka treguar cilësi të mëdha. Më pëlqen shumë, - ka vazhduar ai.
- Astori është një lojtar i yni që nuk ka zhvilluar shumë ndeshje këtë vit, por që ka treguar shenja të qarta përmirësimi. Për sezonin e ardhshëm, gjithsesi, mendoj se rekuperimi i plotë i Gatuzos, Nestës dhe Borrielos, që i shtohen Tiago Silvës, do të evitojë që ne të harxhojmë kohë, duke u vënë në kërkim të ndonjë lojtari të veçantë”. Dhe tek Milani i të ardhmes do të jetë edhe Kakà:
“Ka refuzuar një kontratë të rëndësishme me Mançester Sitin, edhe pse e ka një kontratë të tillë këtu tek Milani. Tani ka mundësinë të rikthehet të fitojë bashkë me ekipin, gati për t’u ringjitur në nivele të larta”. Në lidhje me fundin e këtij sezoni: “Objektivi ynë është ai që të mbajmë sa më larg që të jetë e mundur Xhenoan, që tani ndodhet në vendin e katërt dhe mbetet një skuadër e rrezikshme.
Në këtë moment mendojmë vetëm për ta përfunduar kampionatin në tre vendet e para. Sigurisht, nëse do të vinte një vend i dytë do të ishte akoma më mirë”, ka thënë Ançeloti.