27 prill 2009

Ranieri: Nuk largohem, s’jam si Deshampi!

Pas barazimit me Rexhinën tifozët e Juventusit kanë manifestuar edhe një herë pakënaqësinë e tyre kundrejt drejtuesve bardhezi. Kjo gjë ka ndodhur edhe pas eleminimit nga Kupa e Italisë. Eshtë përsëritur edhe në Kalabri me mbështetësit juventinë që kanë fishkëllyer Blankun dhe Koboli Xhiljin. Janë dëgjuar edhe kore kundër Fabio Kanavaros.
Ndërkohë që Kristiano Zaneti ka thënë: “Disa komente të drejtuesve të klubit e kanë vështirësuar situatën. Kemi humbur të gjithë objektivat. Natyrisht nuk luajtëm asnjëherë për vendin e dytë dhe fakti se të gjithë synimet që i kishim vënë vetes nuk janë arritur ka bërë që të mos kemi më stimuj. Por duhet t’i rigjejmë këto në pesë ndeshjet e fundit”.
Nuk i ka mjaftuar ritkhimi si titullar dhe shënimi i një goli vendimtar që ka shpëtuar Juven nga një humbje e turpshme Kristiano Zanetit për të gjetur buzëqeshjen. Në fund të ndeshjes mesfushori bardhezi nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij.
Edhe përsa i takon reagimeve të tifozerisë bardhezi dhe disa qëndrimeve të drejtuesve të klubit, siç ka qenë takimi i zhvilluar midis Lipit dhe Blankut: “Sigurisht disa kore që janë thirrur kundër nesh nuk na kanë ndihmuar, ashtu siç nuk na kanë ndihmuar disa sjellje apo qëndrime të drejtuesve që duhej të ishin bërë vetëm në fund të kampionatit.
Më pas, për fat të keq, edhe rezultatet nuk na kanë favorizuar. Në këtë moment nuk di me të vërtet çfarë të mendoj”, ka thënë Zaneti.
TE GJITHE ME RANIERIN - Ka qenë i hidhur edhe komenti i Mauro Kamoranezit, i cili ka dalë në mbështetje të Ranierit: “Jemi të gjithë me të. Egziston një projekt dhe duam të punojmë të gjithë bashkë deri në fund. Pjesa tjetër janë vetëm disa lajme të fryra nga shtypi”. Më pas një batutë lidhur me rikhtimin e mundshëm të Kanavaros në Torino: “Tre vite më parë disa lojtarë kanë shkuar tek disa skuadra të rëndësishme, sepse ishte në lojë karriera e tyre. Fabio është një nga ata dhe, për këtë, jam dakord për një rikthim të tijin”, ka thënë Kamoranezi.
“Nuk jam si Deshampi” - Kishte folur për karakter dhe dëshirë për të fituar, por gjithsesi fitorja ka munguar edhe këtë herë. Klaudio Ranieri nuk mund të buzëqeshë, por e ardhmja e tij tek Juventusi nuk është aspak në diskutim: “Më kanë thënë se Juventusi do të kërkojë nivelet më të larta pas pesë vitesh, tani jemi në vitin e tretë dhe po bëjmë gjithçka është e mundur”.
Në lidhje me një faull ndaj Del Pieros. “Nga stoli është dëgjuar edhe goditja që ka marrë Del Piero, por nuk dua të komentoj. Gabimi është njerëzor”. Duket si një rastësi, por pas takimit midis Blankut dhe Lipit, Juventusi nuk ka arritur më të fitojë.
“Nuk e di, unë kam thënë gjithmonë se ekuilibri i skuadrës është diçka magjike, është si një orë elektronike që mjafton vetëm një pikë ujë për ta prishur. Unë duhet të nxjerr maksimumin nga vetja ime dhe nga skuadra”. Ndoshta tekniku bardhezi do të bëjë siç bëri Deshampi pasi e ringriti Juven në Serinë A. “Unë tani duhet të mendoj të bëj punën time mirë.
Di që Deshampi është larguar, por kur je i ri bëhen budallallëqe të tilla. Nuk e di motivin pse u largua, por mua kjo nuk më intereson. Pasi unë ndihem akoma pjesë e këtij projekti. Unë nuk jam naiv, sepse nuk më është kërkuar që në vitin e parë të fitoj titullin.”