25 prill 2009
Milan ëndërron Xherrardin, Bekham pagoi 10 milionët
"Kush nuk do ta donte Zherrard në skuadrën e tij? Të gjitha skuadra do ta donin një lojtar të tillë". Ja pra, nëse merkaton do ta bënin ata, lojtarët, anglezi do të ishte mesfushori i ri i Milanit. Për kapitenin e Liverpulit, të gjithë janë dakord: këtë e ka sinjalizuar i pari Kaka dhe "Ok" përfundimtar ka ardhur nga Zambrota, i cili merr vesh jo pak nga këto punë. Por realiteti është krejt ndryshe. Milanit për momentin i mjafton vetëm një anglez që ka, David Bekham. "Kemi edhe disa ndeshje për t‘u luajtur dhe është mirë të ëndërrosh deri në fund", vazhdon Zambrota. Ish-lojtari i Juventusit dhe Barcelonës i referohet ëndrrës për titull. Një gjë që ndoshta e beson vetëm ai dhe askush tjetër. Ndërkohë që ka filluar të mendojë që tani për sezonin tjetër. Kërkon ardhjen e Xherrardit nga Liverpuli, gjë që e shikon si një mundësi shumë të mirë për të përforcuar mesfushën e Milanit. Kjo po që është një ëndërr, një ëndërr e pamundur, por më konkrete se vendi i parë në këtë sezon të Serisë A. Menjëherë më pas ka reaguar Galiani, i cili tha se nuk flitet për merkato deri më 30 maj. Kështu që as konsulenti i merkatos, Ernesto Bronzeti, nuk mundet të zbardhe asnjë detaj të strategjisë kuqezi. As që mendohet që një gjë të tillë ta bëjë një lojtar. Galiani është ai që vendos. Por për të pritur që Galiani të zbardhë detaje, do të duhet të shkruajmë për merkato vetëm pas një muaji e gjysmë. Për momentin është e vështirë që të zbulohet më shumë rreth objektivave të skuadrës së Ançeloti. Kjo edhe sepse të gjitha skuadrat e mëdha të Evropës, përfshi Milanin, po programojnë të ardhmen e tyre. Të mërkurën, Bekham kishte dhënë një intervistë, në të cilën kishte thënë se kishte hequr dorë nga shumë para, vetëm e vetëm për të qëndruar te Milani. "Nuk e njoh karrierën e Galianit, ka thënë anglezi, as precedentët e mundshëm të rastit tim. Por për një gjë jam i sigurt: ka shumë lojtarë në Evropë dhe në botë, që do të paguanin nga xhepi i tyre për të luajtur në një klub të madh si Milani. Prandaj kam bërë gjithçka, vetëm e vetëm që të qëndroja këtu deri në fund të sezonit". Pikërisht për këtë është folur shumë që nga dita e djeshme. Si është e mundur që ai ka hequr dorë nga shuma të mëdha parash, nga një kontratë miliardere, e cila e lidh deri në fund të vitit 2010 me Major League Soçer, më saktë me skuadrën e Los Anxhelos Galaksi. Për të folur për këtë argument ka menduar Komisari i MLS, Don Garber, i gatshëm të zbulojë shifrat që i kanë lejuar "Spice Boy" të qëndrojë në Milano. "Për të qëndruar në formë huazimi te Milani, ka shkruar ‘The Sun‘, kemi kërkuar 10 milionë dollarë dhe i kemi marrë të gjitha". Një shifër jo e vogël për një huazim prej 6 muajsh: A i ka paguar të gjitha Bekham, apo ato do të rëndojnë edhe mbi bilancin e Milanit?