Eshtë në pritje të një telefonate nga Juventusi, por ndërkohë nuk qëndron me duart lidhur, sepse duhet të kompletojë veprën e tij prej së cilës varet edhe e ardhmja. Të hënën e ardhshme Antonio Konte mund të festojë kalimin e Barit në Serinë A nëse, në stadiumin “San Nikola”, do të mposhtë Empolin.
Eshtë trajneri i momentit, i adhuruar për rezultatet e rëndësishme që po arrin dhe për futbollin spektakolar që po tregon skuadra e tij. “Zërat mbi Juventusin? Mungojnë tre ndeshje nga fundi…”, provon të bëjë shaka Konte, në përfundim të ndeshjes së Bergamos, para pyetjeve të shumta të gazetarëve. “Unë mendoj për të tashmen.
Dhe këtu tek Bari është një e tashme përrallore. Zërat që dëgjohen lidhur me të ardhmen time më bëjnë të ndihme krenar, por unë e di se e tashmja e Kontes quhet Bari, më pas e ardhmja… Unë besoj tek Zoti kështu që them se Ai mendon për gjithçka”. Një koment ky që nuk mund të interpretohet si një shpresë. Lidhja me Juventusin është akoma shumë e fortë dhe është e pamohueshme se Konte ndihet gati për të bërë hapin e madh.