23 prill 2009

Mourinjo: Racizëm nuk ka vetëm në Torino

Trajneri i Interit, Hoze Mourinjo, ka dalë në mbrojtje të Mario Balotelit dhe ka sulmuar ata që e kanë kritikuar lojtarin e tij se është shumë provokues dhe nuk ka respekt për kundërshtarët. “Ajo që nuk më pëlqen tek ai është që të disktuojë me arbitrin lidhur me vendimet që merr ky i fundit ose të marrë një karton të verdhë sepse çon dorën në shenjë proteste.
Kjo nuk është një gjë e mirë as për të as për skuadrën. Më pas nëse kundërshtarët acarohen sepse kap topin, shënon dhe nuk ka frikë asnjeri, atëherë unë nuk mund të bëj asgjë për këtë”. Në lidhje me koret raciste që janë dëgjuar të shtunën e kaluar në ndeshjen kundër Juves.
“I kam dëgjuar edhe në vende të tjera, jo vetëm në Torino. Më vjen keq për ndëshkimin që ka marrë Juventusi”. Ndërkohë, që ka ardhur dita e ndeshjes së kthimit për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Sampdorias, e cila do të zhvillohet sot në mbrëmje në “San Siro”: “Nëse do të shkojmë në finale do të jetë një surprizë për të giithë, - ka thënë Mou.
- Në këtë moment jemi jashtë kompeticionit, pasi Sampi ka fituar 3-0 ndeshjen e parë, duke krijuar kështu një avantazh të rëndësishëm, të cilin do të kërkojë ta mbrojë me çdo kusht në “San Siro”. Për ne do të jetë një ndeshje e vështirë, por në futboll gjithçka është e mundur. Ata thonë se kanë 51 përqind të mundësive për të shkuar në finale? Thjesht tregohen të kujdesshëm, ashtu siç bën Interi kur thotë se matematikisht kampionati është akoma i hapur”.
Domethënë, titulli kampion nuk do t’i shpëtojë zikaltërve nga duart: “Edhe nëse Milani dhe Juventusi do t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e fundit, duke grumbulluar 18 pikë, besoj se ne do të arrijmë të marrim më shumë se 8 pikë që na nevojiten për të siguruar kampionatin. Nuk jemi akoma kampionë, por besoj se do të jemi shumë shpejt të tillë.
Tani jemi të përqendruar tek gjysmëfinalja e Kupës së Italisë, sepse duam të arrijmë në finale, ky është stimuli dhe objektivi ynë i ri. Dihet që objektivi kryesor është titulli kampion, askush nuk do ta ndërronte me Kupën e Italisë”, ka shtuar portugezi. Në lidhje me formacionin tekniku zikaltër ka bërë të ditur se “do të fus në fushë një skuadër të fortë. Do të luajë Ibra, gjithashtu edhe Hulio Sezar”.
Në fund, Hoze Mourinjo, ka konfirmuar se ndihet shumë krenar me faktin që stërvit (dhe fiton) në kampionatin italian: “Për një njeri si unë, të drejtoj një ekip italian është një eksperiencë shumë e madhe. Por nëse në fund të këtij sezoni do të vijë dhe suksesi në Serinë A, kjo eksperiencë e madhe do të kthehet në një gjë shumë të rëndësishme përsa i përket karrierës sime”.