Deklaratat e Zllatan Ibrahimoviçit dy ditë më parë (”Dua të ndryshoj mjedis dhe të provoj emocione të reja, por larg Italisë ama”), nuk e kanë tronditur aspak Hoze Mourinjon në prag të ndeshjes ndaj Napolit. “Jam në dijeni të intervistës që para 15 ditësh, është mjaft normale, - ka thënë trajneri portugez. - Ajo që thotë Ibrahimoviçi, nuk është ndryshe nga ajo që thonë Kakà apo Tevez mbi të ardhmen e tyre. Ose nga ajo që them unë.
Mund ta interpretojnë të gjithë siç duan. Por unë kam përshtypjen që do të qëndrojë. Nëse pastaj presidenti Morati kërkon ta shesë për 10 milionë euro, e blej unë menjëherë. Adriano? E pres në Milano për festën e titullit”.
Pragndeshja ndaj Napolit është karakterizuar pa dyshim nga “bomba” që lëshoi Ibrahimoviç mbi të ardhmen e tij, duke dalë hapur se kërkon një përvojë të re në karrierën e tij, pasi vetëm me fitimin e titullit me Interin u mërzit. “Unë e di prej dy javësh që Zllatani i ka thënë këto gjëra, - shpjegon tekniku i Interit. - Edhe unë them se dua të fitoj “Çmimin e Madh”.
Mund të thoni se Mourinjo kërkon të largohet nga Interi nëse doni. Por unë do të jem këtu me 100% edhe për sezonin që vjen. Ibra thotë se ndihet mirë këtu, por që ndoshta një ditë mund të shkojë në një tjetër kampionat. Më duket mjaft normale, nuk shoh asnjë dramë. Këtu me mua te Interi është duke thyer të gjithë rekordet e tij personalë, nuk ka ndaluar asnjëherë praktikisht. Sipas meje këtë vit ka luajtur sezonin më të mirë të jetës së tij.
Ai luajti në kupë para tri ditësh, mos iu duk pa motivacion? Mua absolutisht. Kam akoma përshtypjen që do të qëndrojë këtu, por duhet pyetur edhe presidenti për këtë gjë. Dhe nëse Morati kërkon ta shesë Ibrën për 10 milionë euro, atëherë e blej unë”. Mourinjo nuk e harron pastaj Adrianon: “Jam i trishtuar për të, më vjen keq. Nëse fitojmë titullin, e pres këtu në “Apiano” për të festuar, sepse do të jetë edhe një fitore e tij”.
Për sa i takon ndeshjes me Napolin: “Duhet të luajmë me qetësi, por duhet të kemi objektivin dhe ambicien për të fituar titullin. Stadiumi “San Paolo” është një stadium historik, për mua është hera e parë dhe do të jetë një motiv më shumë”.