27 prill 2009
Vazhdon dhuna në Ligën e Parë
Vazhdon dhuna në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Vetëm një javë pas incidenteve në ndeshjen Llapi – Ballkani, këtë xhiro është ndërprerë edhe takimi ndërmjet Arbanës dhe KEK-ut, pasi vendasit kanë sulmuar gjyqtarin kryesor. Garat në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, në javët e fundit kanë filluar të karakterizohen me dhunë. Edhe xhiroja e 18 nuk ka kaluar qetë, pasi është ndërprerë takimi i zhvilluar në Prizren, ndërmjet Arbanës dhe KEK-ut. Ky takim është ndërprerë në minutën e 64-t, pasi futbollistët e ekipit të Arbanës e kanë sulmuar fizikisht gjyqtarin kryesor të këtij takim, Fatmir Tahiri, pasi ky i fundit kishte treguar kartonin e kuq për vendasit. Në pjesën e parë rezultati ishte 1:0 për vendasit. Kurse me të filluar pjesa e dytë, futbollistët e KEK-u arritën ta barazojnë rezultatin në 1:1 dhe nga ky moment situata kishte filluar të tensionohej. Arbana zë në vendin e 11 në tabelën e klasifikimi me 14 pikë, pozitë kjo e cila e rrezikon seriozisht këtë skuadër për të rënë nga kjo ligë. Kurse KEK-u është i katërti me 34 pikë, skuadër kjo që pretendon të inkuadrohet në elitën e futbollit kosovar. Ndërsa javën e kaluar në Ligën e Parë ishte ndërprerë takimi në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Ballkanit. Edhe në këtë përballje ishte sulmuar gjyqtari kryesor i ndeshjes.