27 prill 2009

Morati, 30 milion për Motën dhe Militon

Të paktën 20 milion euro në dorë, në fillim. Më pas kartonin e Himenez dhe dhënien borxh të një lojtari të ri (Bolxonit). Kjo është oferta që Interi po përgatit për të bindur Xhenoan që t’i hapë rrugën kalimit tek zikaltrit të Diego Militos dhe Tiago Motës.
Por, Preciozi nuk është akoma i bindur dhe gjithsesi në fillim kërkon të sigurojë një sulmues me peshë siç është Flokari. Ndërkohë, Atalanta e ka refuzuar ofertën e xhenoanëve prej 8 milion eurosh plus të riun Forestieri.
Një “jo” që, edhe pse jo përfundimtare, frenon kuqeblutë dhe, për rrjedhojë ngadalëson zhvillimin e operacionit të madh që drejtohet nga Morati dhe Branka. Që, nëse situata nuk do të zhbllokohej, do të ishin të detyruar t’i ofronin Preciozit sulmuesin e ri Akuafreska (i cili pëlqehet nga Gasperini), duke bërë kështu që interistët të viheshin në kërkim të një tjetër sulmuesi në merkato, duke parë se blerja e Militos do t’i shtohej në repartin sulmues Balotelit dhe Ibrahimoviçit.
Kështu, emri më i përmendur për t’u bërë sulmuesi i katërt i Interit është ai i Kualjarelës, për të cilin, përveç se do të shpenzoheshin para të tjera, do të sakrifikoheshin Rivas (Udineze do të humbë Zapatën, që do të shkojë drejt Fiorentinës) dhe të riun Biabani, mesfushor i dalë nga ekipi shpresa i zikaltërve, të cilin friulanët e kishin kërkuar edhe gjatë merkatos së janarit. Ibra, Supermario, “Princi” dhe Kualjarela: aspak keq. Edhe pse, dhe kjo është një gjë normale, cilësia është e kushtueshme.
Një cilësi që Hoze Mourinjo e kërkon ta ketë me çdo kusht vitin e ardhshëm, sepse vetëm titulli nuk mund të jetë më objektiv. Tashmë Liga e Kampioneve, jo vetëm për tifozët dhe prestigjin, duhet fituar që të kënaqet edhe Zllatan Ibrahimoviçi, përndryshe suedezi mund të përgatisë valixhet drejt largimit.