23 prill 2009

Milito-Inter, Xhenoa trazon ujërat

Kanë befasuar pak a shumë të gjithë zërat që kanë dalë të martën mbasdite lidhur me marrëveshjen e arritur midis Xhenoas dhe Atalantës për transferimin e Serxhio Flokarit tek kuqeblutë. Mbi të gjithë kanë mbetur të zhgënjyer adhuruesit e sulmuesit të ekipit bergamask, në veçanti Napoli.
Por edhe Interi e ka ndjekur me shqetësim këtë zhvillim. T’i marrim gjërat me radhë. Lajmet mbi Flokarin nuk janë të pabazuara. Sigurisht, akoma nuk është nënshkruar asgjë, por ekipi i Xhenoas duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga sulmuesi nga sa është bërë e ditur nga shtypi italian.
Një lëvizje kjo që mund t’i ketë rrënjët në ashpërsimin e marrëdhënieve midis klubit kuqeblu dhe Interit për çështjen Milito. Qendërsulmuesi kalabrez mund të mos jetë trashëgimtari i “Princit”, siç është hipotezuar dje, por një gur i thjeshtë në lojën e shahut që po zhvillohet me njerëzit e ekipit zikaltër. Në fillim oferta e interistëve parashikonte kartonin e Akuafreskës plus një shumë të caktuar eurosh. Por, gjatë ditëve të fundit, duket se ka ndryshuar gjithçka.
Morati nuk ka dëshirë të largojë përfundimisht një lojtar të ri premtues si sulmuesi aktual i Kaljarit. Kështu që tani ka dalë në skenë hipoteza Suazo për Xhenoan, që nuk pëlqehet shumë nga Preciozi, i cili duket se ka vendosur të ruhet me Flokarin.
Pjesërisht për ta siguruar lojtarin nga befasitë e merkatos, pjesërisht për t’i bërë presion Interit. Nëse do të vinte një tjetër ofertë interesante për Militon, pa mundësinë për të arritur tek Akuafreska, Preciozi mund t’ia mbyllë derën në fytyrë Masimo Moratit.