24 prill 2009

Makelele vendos në qershor

Claude Makelele ka njoftuar se do të vendosë për të ardhmen e tij në qershor. Lajmi vjen pas spekulimeve se mesfushori i PSG do të pensionohet nga futbolli në fund të këtij sezoni, gjë e cila është refuzuar nga 36 vjeçari. “Do të marr vendim pas përfundimit të sezonit”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve AFP të enjten. “Kur kam ardhur (në Paris verën e kaluar) kam thënë se jam këtu për një kohë të gjatë. Gjëja më e rëndësishme është ajo çka klubi dëshiron të bëjë. Do të bisedoj me bordin në fund të sezonit. Nëse është dëshirë e tyre, do të vazhdoj të luaj. Nëse ekziston dëshira, ende jam në gjendje të mirë fizike. Për momentin dëshira është për të vazhduar”, shtoi ai. Trajneri Paul Le Guen nuk është i sigurt se do të vazhdojë qëndrimin në klub, por Makelele ka theksuar se e ardhmja e tij nuk është e lidhur me atë të trajnerit. “Kemi marrëdhënie shumë të mira. Por, gjithmonë kam pasur raporte të mira me futbollistët dhe trajnerin, andaj nuk paraqet problem”, përfundoi ai. Nëse vendos të pensionohet gjatë verës, Makelele besohet se do të angazhohet në stafin teknik të klubit nga Parc des Princes.