Supersulmuesi i Milanit të dielën në mbrëmje ka gjunjëzuar Torinon me një tregolësh fantastik dhe me një paraqitje, e disata në këtë kampionat, që do të linte në hije pothuajse të gjithë qendërsulmuesit e Serisë A.
Aspak keq për një lojtar që nga shumë njerëz konsiderohet se ka ardhur në fundin e karrierës së tij, një lojtar që, siç ka pranuar vetë, 36 vitet e tij nuk i ndien aspak: “Unë jam afër 36-vjetorit, por në “San Siro” ndiej dhjetë më pak. Dhe kjo magji është meritë e tifozëve kuqezi, e një stadiumi të shkëlqyer dhe e fanellës së Milanit. Sa herë e vesh rinohem”.
Kundër Torinos, SuperPipo ka treguar të gjitha lëvizjet e tij më të mira, duke shënuar edhe me kokë: “Një nga cilësitë e mia kryesore është ajo që përshtatem shumë mirë me shokët e ekipit që kanë topin. Nëse e ka Pirlo bëj një lëvizje të caktuar, nëse e ka Kakà bëj një tjetër sepse secili nga ata kërkon të ma japë topin në mënyra të ndryshme.
Dhe nëse e ka Bekham e di se në qendër të zonës do të vijë një krosim i mrekullueshëm. Dhe përgatis kokën”. Milani tani është në vendin e dytë me pikë të barabarta me Juventusin, por çdo temë për titullin kampion duket se shtyhet për sezonin e ardhshëm: “Fatkeqësisht mendoj se është kështu.
Po të kishim vetëm 3 ose 4 pikë diferencë, mund të bënim një arsyetim tjetër. Por Milani ndihet aq mirë sa duhet të provojë të fitojë gjashtë ndeshjet e fundit që kanë mbetur”. Në fund një batutë lidhur me zemërimin për zëvendësimin të dielën në mbrëmje:
“Ançeloti më ka dhuruar një përshëndetje fantastike nga publiku, por është pak a shumë ajo që ndodh me fëmijët. Nëse i çon në parkun e lojrave dhe mbas një ore të mbushur me argëtim thua ‘fëmijë duhet të kthehemi në shtëpi’, ata mërziten. Pra, “San Siro” është parku im i lojërave”, ka përfunduar Inzagi.