Trajneri i kombëtares braziliane ka folur lidhur me lojtarët e “Selesaos” që luajnë në kampionatin italian
Ka qenë një fundjavë e mbushur me vizita ajo e kaluara për trajnerin e kombëtares braziliane, Karlos Dunga. Ish-mesfushori i Pizës, Fiorentinës dhe Peskarës ka zbarkuar në Itali të premten në mëngjes dhe, sipas radhës, ka bërë një vizitë në ambientet e Juventusit, ka ndjekur Juve-Inter të shtunën në mbrëmje, të dielën ka qenë i pranishëm në “San Siro” për Milan-Torino dhe të hënën në mëngjes ka vizituar qendrën stërvitore “Apiano Xhentile” për t’u takuar me koloninë verdhjeshile të Moratit.
Dje ka qenë i pranishëm në Firence për të përshëndetur Felipe Melon, më pas ka shkuar në “Trigoria” tek Roma, dhe në fund do të udhëtojë drejt Gjermanisë. Ku do të shkojë të takojë Diegon në Breme.
“E shikoj mirë si tek Juventusi ashtu edhe tek Interi, - ka thënë trajneri i Seleçaos - sepse është një kampion i madh. Ka një teknikë të shkëlqyer, por pozicionet e tij janë dy: mesfushor i avancuar dhe sulmues i dytë”.
- Në këtë moment Diego është një brazilian i lumtur, por ka të tjerë që nuk ndihen dhe aq mirë. Dunga, çfarë i ka ndodhur me të vërtet Adrianos?
- Jam i pari që befasohem nga ajo që i ka ndodhur. Gjatë grumbullimit të fundit me kombëtaren ishte i qeshur, argëtohej. Nuk prisja asgjë të tillë. Eshtë një djalë i ri që po kalon një moment të turbullt, futbolli i sotëm ka shumë presion, të cilin ai nuk ka ditur ta kontrollojë. Por pas pak kohësh kjo botë do t’i mungojë. Jam i sigurt se do të kthehet.
- Edhe Ronaldinjo ka kohë që nuk qesh…
- Mund të kthehet ai i dikurshmi me kusht që të aktivizohet më shpesh. Brazilianët nuk janë bërë për të qëndruar në stol… (qesh). Në fakt, është pak i mërzitur, atij nuk i pëlqen aspak të qëndrojë jashtë fushës.
- Pato mund të thotë të njëjtën gjë lidhur me aktivizimin e tij tek kombëtarja.
- Duhet të presë, ia kam thënë shumë qartë se duhet të ketë durim se momenti i tij do të vijë. I ka të gjitha mundësitë, por në fund ajo që ka rëndësi është fusha. Dhe për momentin Luiz Fabiano po paraqitet më mirë.
- Kakà ka humbur shumë kohë për shkak të një dëmtimi. Eshtë e vërtetë se mjekët brazilianë janë më të mirë se ata italianë?
- Riki nuk ka dashur të thotë këtë, ai beson edhe tek mjekët e Milanit. Thjesht kemi të bëjmë me një mënyrë të ndryshme pune.
- Mendoni se herët ose vonë do të largohet nga Milani?
- Kakà është në një klub të madh që pothuajse gjithmonë është prezent në Champions Ligë, respektohet nga të gjithë dhe në Itali është përshtatur shumë mirë. Dhe unë, për të mirën e Seleçaos, dua që lojtarët e mi të qëndrojnë aty ku ndihen më mirë.
- Ndërsa, Amauri duket se nuk ka vendosur akoma nëse ndihet më mirë me kombëtaren braziliane ose me atë italiane.
- Po të isha në vendin e tij unë do të luaja me ekipin e vendit ku kam lindur. Gjithsesi, nuk do të ndihesha i tradhëtuar nëse do të zgjidhte Italinë, është një vendim personal. Por në të kaluarën ka qenë i pavendosur.
Ai e di se nëse e grumbulloj unë do të duhet të luftojë për një vend me dhjetë lojtarë të tjerë. Ndër të tjera, nga anët tona nëse gabon një ndeshje je i djegur. Çdo trajner kombëtareje ka gjithmonë arsyet e tija të mira kur nuk grumbullon një lojtar, ashtu siç do t’i ketë patjetër Lipi me Kasanon. Dhe nuk është e thënë të japim shpjegime.
- Cilët janë brazilianët më të mirë në Itali?
- Hulio Sezar, Maikon dhe Pato. Dhe për vitin tjetër duhet të bëni kujdes ndaj Tiago Silvës, është i shpejtë dhe teknik.
- Si e shikoni Maradonën si trajner të Argjentinës?
- Mund të funksionojë, por duhet të ketë kujdes. Eshtë e nevojshme të ndalojë së menduari si futbollist, është një proçes që mua më ka kërkuar shumë kohë.