23 prill 2009

Galiani: Të mendojmë për vendin e dytë

Pasi është cilësuar si e paarritshme ëndrra për titullin kampion, me Galianin që ka pohuar, “edhe nëse Donadoni na bën ndonjë dhuratë, diferenca e pikëve do të ishte sërish shumë e madhe”, në shtëpinë e Milanit ëndrra e momentit duket si një mrekulli: “Gatuzo në fushë kundër Juves? Të shohim, nuk i dihet, - ka shpjeguar drejtuesi kuqezi.
- Ka rifilluar të stërvitet, por duhet të dëgjojmë atë që do të na thonë mjekët. Sigurisht, do të ishte një rikthim që do të vinte pas më pak se pesë muajsh nga operimi”. Si të thuash, do të ishte një çmenduri, por nga Gatuzo mund të presësh gjithçka. Edhe që të rikthehet në fushë pas vetëm pesë muajsh nga një operacion delikat. Më pas, është e qartë, do të jenë mjekët që do të vlerësojnë situatën dhe askush, në “Milanelo” nuk ka dëshirë të rrezikojë.
Gjithsesi, kjo mundësi do të merret në konsideratë. Edhe pse, nëse kampionati nuk mund të fitohet, vendi i dytë është një objektiv që Milani ka dëshirë ta arrijë. Dhe në këtë aspekt, sfida me Juventusin është shumë e rëndësishme. Por ta fillojmë nga kapitulli i kampionatit.
“Edhe nëse Napoli do të fitonte nuk do të ndryshonte asgjë, e para sepse Milani duhet të mendojë për të fituar ndeshjen e tij dhe më pas diferenca do të ishte prej shtatë pikësh, me fjalë të tjera, e pariparueshme. Ju lutem, të mos flasim për gjëra të pamundura”.
Sigurisht në fillim të sezonit objektivi për të fituar kampionatin konsiderohej si një gjë e mundur. Sepse, vazhdon Galiani, “kjo skuadër pa dëmtimet do të kishte luftuar për titullin kampion, por dëmtimet në këtë sezon nuk kanë munguar, kanë qenë të shumtë, kështu që duhet të mendojmë për ta mbyllur sa më mirë këtë kampionat”.
Më pas duhet menduar për sezonin e ardhshëm, mbi të cilin Galiani ka vetëm një siguri. Dhe ka të bëjë me Bekhamin: “Marrëveshja me Galaksi është shumë e qartë, - ka nënvizuar ai. - Kemi arritur atë që donim, ose e thënë ndryshe, të kishim Devidin në dispozicion deri në fund të sezonit. Bekham ka qenë një blerje e rëndësishme. Shpresoj të rikthehet tek ne në janar, por nga fundi i këtij sezoni deri në merkaton e janarit të ardhshëm ai do të jetë në Los Anxheles”.