Ka lindur në Pelotas, duke pasur topin në fatin e tij. Megjithatë në periudhën e fundit karriera futbollistike e Emersonit ka pësuar një rënie që nuk e ka lejuar të përsërisë paraqitjet e tij të mëdha të bëra në vitet e kaluara me Romën, Juventusin dhe Real Madridin.
Ish-lojtari i Realit të Madridit, që nga dita e martë është edhe një ish-lojtar i Milanit, është aktivizuar në aventurën e tij kuqezi vetëm 945 minuta në kampionat, në dy sezonet ku ka veshur fanellën e “Djallit”.
Njëzeteshtatë paraqitje në serinë A, tetëmbëdhjetë nga të cilat i aktivizuar nga stoli, asnjë gol. Shumë dëmtime dhe fat i keq për mesfushorin brazilian. Për atë, që nuk ka arritur të konfirmojë nivelin e lartë në kohën kur nën drejtimin e Fabio Kapelos udhëhiqte mesfushën e skuadrave verdhekuqe dhe bardhezi, llogaria e “kostos për minutë” duket e nevojshme.
I marrë për 5 milion euro nga Reali dhe me një rrogë prej 3,3 milion eurosh në sezon kalimi i “Pumas” në “Milanelo” ka kushtuar rreth 11 milion euro.
Me makinë llogaritëse në dorë, çdo minutë në serinë A e lojtarit, ka kushtuar rreth 11,640 euro. Sigurisht, nuk mund të thuhet se ka qenë një investim i mirë. Gjithsesi, këto janë gjëra që ndodhin në botën e futbollit.