24 prill 2009
Eto‘o refuzon 40 milionë eurot e Sitit
Sa shumë gjëra ndodhin në një vit. Pikërisht vetëm një vit më parë, pak a shumë në këtë kohë (e thënë ndryshe në fundin e sezonit të kaluar), Reali i Madridit mundi të fitonte titullin kampion të Spanjës, ndërsa Barcelona e trajnerit Frenk Rajkard lundronte në ujëra të turbullta, duke pritur një gjysmë finale të Champions League, të cilën do ta humbte (edhe pse luftoi fort) kundër Mançester Junajtid. Flitej për një braktisje të madhe të skuadrës katalanase, ku Ronaldinjo dhe Eto ishin në radhën e parë të startit për t‘u larguar Eto‘o. Xhevahiri brazilian do të zbarkonte në Milano, te kuqezinjtë e Karlo Ançelotit, ndërsa kamerunasi flitej se do të kalonte te Milani, Interi, Mançester Siti apo edhe në një skuadër të pasur të kampionatit azerbajxhanas. Në fakt nuk u bë asgjë. Tashmë Eto‘o është një nga golashënuesit më të mirë të La Liga-s. Në ndeshjen e të mërkurës ndaj Seviljas, të fituar 4-0 nga Barcelona, sulmuesi afrikan ka shënuar golin e tij të 26-të në këtë sezon. Paraqitja e mirë ka bërë, që emri i tij të rikthehet në merkato. Sipas "Daily Mirror", sulmuesi kamerunas i intereson Interit dhe tashmë i ka thënë "no" Mançester Sitit, që ishte i gatshëm të ofronte plot 35 milionë sterlina (rreth 39 milionë euro) për kartonin e tij. Kontrata e tij skadon në 2010-ën. Një mik i tij ka thënë: "Samuel është i lumtur te Barcelona dhe ka dëshirë të qëndrojë".