“Po si kështu, nuk iu mjafton Ronaldinjo? Doni edhe Adebajorin? Ndërkohë unë duhet të paguaj…”. Silvio Berluskoni i është përgjigjur në këtë mënyrë një tifozi që i ka kërkuar të marrë tek Milani sulmuesin e Arsenalit. Numri një i kuqezinjve ka replikuar në këtë mënyrë: “Doni Adebajorin?
Por jemi shumë të fortë edhe kështu…”. Ndërkohë, Milani ka komunikuar se ka prishur kontratën me brazilianin Emerson “për shkak të motiveve personale”. “Skuadra e Milanit komunikon se futbollisti Ferreira Da Roza Emerson ka kërkuar dhe ka marrë menjëherë prishjen e kontratës, për shkak të motiveve personale. Duke e falenderuar përsa ka bërë për Milanin gjatë qëndrimit të tij, klubi i uron Emersonit sukses në të ardhmen”.
Me këtë komunikatë, të publikuar në saitin zyrtar të Milanit, klubi kuqezi i ka dhënë lamtumirën ish-mesfushorit të Romës, Juventusit dhe Realit të Madridit. Një eksperiencë negative, ajo e Emersonit në Milano, e karakterizuar nga shumë dëmtime dhe e kushtëzuar në mënyrë shumë negative nga kaosi i krijuar nga braziliani pas deklaratave të bëra në lidhje me Kakanë, janarin e kaluar.
Ndërkohë dje në Milanelo është parë në stërvitje Xhenaro Gatuzo, që ka rifilluar të punojë rregullisht me grupin pas dëmtimit të rëndë në gju. Me të kanë qenë edhe Borrielo e Bonera.