25 prill 2009
Dua diçka të re
Sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimoviç është i gatshëm të largohet nga klubi dhe dëshiron të provojë diçka të re në karrierën e tij, pas pesë vjetëve të kaluara në Itali. Edhe pse ka kontratë afatgjate dhe ndihet i lumtur në Giuseppe Meazza, ylli suedez thekson se ka ardhur koha të bëjë ndryshime. Ylli i Interit, Zlatan Ibrahimoviç ka theksuar se planifikon të largohet nga klubi në kërkim të sfidave të reja. Në ditën kur sulmuesi brazilian Adriano shkëputi kontratën e tij me klubin, Ibrahimoviç shfaqi dyshime të reja rreth të ardhmes së tij në Giuseppe Meazza. Reprezentuesi suedez ishte i pakënaqur pas eliminimit të Interit në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve dhe tani ka dhënë indikacione të qarta se mund të largohet nga klubi, edhe pse ka kontratë deri më 2013.“Kam kontratë me Interin dhe jam i lumtur këtu, por në të njëjtën kohë kam dëshirë të provoj diçka të re sepse jam në Itali që pesë vjet”, tha Ibrahimoviç për Eurosport. “Kam fituar gjithçka në Itali dhe kam mësuar shumë për këtë vend, por në jetë vjen një kohë kur sikur atëherë kur isha në Ajax, ju duhet t’i thoni vetes të bëni ndryshime”, shtoi ai. Komentet e Ibrahimovicit do të shqetësojnë presidentin e klubit, Massimo Moratti dhe trajnerin Jose Mourinho, që mund të fillojnë kërkimin për një zëvendësues. Sulmuesi i Manchester Unitedit, Carlos Tevez dhe ylli i Atletico Madridit, Sergio Aguero konsiderohen si objektivë. Ibrahimoviç po ashtu ka bërë të ditur se ishte afër transferimit në Arsenal. Ylli suedez refuzoi Topxhinjtë në vitin 2001 dhe kaloi në Ajax. Prej atëherë ai është zhvilluar në njërin prej sulmuesve më të mirë në botë dhe është në prag të titullit të tretë të kampionit në Serie A me Interin. Por, si i ri ai udhëtoi në Londër për të biseduar me Arsene Wengerin, por vendosi t’i bashkohet gjigantit holandez. “Kur isha në Malmo erdhi dikush dhe më ftoi në Arsenal për t’u takuar me Wengerin. Kam shkuar atje dhe kam parë Patrick Vieiran dhe futbollistët e tjerë të mëdhenj dhe pasi jam takuar me Wengerin, biseduam pak së bashku. Më pas ishin edhe Monaco, Ajax dhe Roma që më kontaktuan. Por, në fund Ajax më pëlqeu më së tepërmi. Mendoj se ishte zgjedhja e duhur për mua, edhe pse Wenger është duke bërë punë të shkëlqyeshme me futbollistë të rinj”, deklaroi 27 vjeçari. Ai në Inter u transferua nga rivali italian Juventus, ku punoi me Fabio Capellon. Ibrahimoviç ka lavdëruar mënyrën e punës së selektorit të tashëm anglez. “Capello më ndihmoi shumë, ai më stërviti dhe më mësoi rreth futbollit italian. Pas disa muajve, ai më ftoi në zyrën e tij. Më tha ‘ulu’ dhe shikoje televizionin, ishte i vogël dhe futi një kasetë e më tha: ‘Studioje këtë për 10 ose 15 minuta, kështu duhet të lëvizësh në zonë’. Kaseta përmbante xhirim të Marco van Bastenit dhe golave të tij. Ai ndërroi rrobat dhe shkoi në shtëpi. Ndërsa unë isha i vetëm dhe shikoja xhirimet e Van Bastenit me vetëm gola, gola, gola”, përfundoi Ibrahimoviç.