22 prill 2009

Sedorf: Dënoni edhe koret kundër Kakàsë

Edhe mesfushori i Milanit, Klarenc Sedorf ka folur lidhur me çështjen Baloteli. Hollandezi ka treguar se ai ka dëgjuar edhe kore të tjera që nuk kanë lidhje me racizmin. “Sigurisht nga ana e federatës së futbollit mund të merren masa drastike, por që mund të mos kenë lidhje direkt me racizmin.
Sepse unë kam dëgjuar edhe kore të tjera, të tipit “Vrisni Kakanë”, kam dëgjuar gjëra shumë të rënda kundër Materacit dhe Gatuzos. Baloteli është rasti i fundit. E njoh personalisht atë dhe mendoj se duhet të përmirësojë qëndrimin e tij. Shumë herë injoranca e publikut qëndron edhe tek fakti se kërkojnë gjithmonë një pikë të dobët. Përpiqen të godasin lojtarin me kore të papërshtatshme. Por edhe sjellja jonë, e lojtarëve që janë në fushë, mund të provokojë reagime që nuk janë të justifikuara.
Sipas mendimit tim në raste të tilla stadiumet e boshatisur për disa ndeshje janë gjëja e duhur”. Në lidhje me ndërprerjen e ndeshjes. “Siç e thashë edhe më sipër, mendoj se janë më shumë episode të bazuara në injorancë dhe jo të lidhur ngushtë me racizmin. Për mua “Vrisni Kakanë” është më e rëndë”, ka thënë Sedorf. Në lidhje me faktin se i takon lojtarëve t’i kërkojnë arbitrit të ndërpresin takimin.
“Tashmë ndodhem këtu prej 10 vjetësh dhe në stadiumin e Juves nuk më ka ndodhur asnjë herë një gjë kaq e rëndë. Besoj se është e rëndësishme që organizuesit të ndërhyjnë direkt pa përfshirë lojtarët”, ka përfunduar milanisti.