02 prill 2009
Barcelona, gati oferta për portierin Peter Çeh
Me emërimin e Pep Guardiolës në krye të stolit, Barcelona u rikthye në ditët e saj më të lavdishme. Trajneri i ri ndërtoi një prej ekipeve më të mira në histori, megjithatë edhe "blaugranat" e kanë një pikë të dobët: portën. Forma e dobët e shfaqur nga Viktor Valdes ka sjellë shumë dyshime për të ardhmen e "gardianit" në radhët e katalanëve. Tashmë, në "Kamp Nou" kanë përzgjedhur edhe zëvendësuesin ideal, nëse portieri aktual do të largohet në fund të sezonit. Bëhet fjalë për numrin 1 të Çelsit, Peter Çeh, që cilësohet si një prej më të mirëve në botë mes shtyllave. Çeku ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e klubeve të mëdha angleze dhe kontinentale, por asnjëherë ai nuk ka pranuar të shqyrtojë idenë e largimit nga blutë e Londrës. Megjithatë, një skuadre si Barça është mjaft e vështirë t‘i thuash "jo" dhe kjo dilemë po e mundon Çeh. Sipas së përditshmes "El Mundo Deportivo", largimi i Viktor Valdes duket i sigurt, edhe sepse portieri ende nuk e ka rinovuar kontratën me klubin. Duket se lojtari pretendon rrogë më të lartë nga ajo që presidenti Laporta mendon t‘i japë dhe marrëdhëniet janë ftohur pikërisht prej pretendimeve financiare. Kontrata është drejt përfundimit, e nëse nuk gjendet një pikë e përbashkët, Barcelona mund të vendosë ta shesë portierin, duke i hapur "dritën jeshile" afrimit të anëtarit të përfaqësueses së Republikës Çeke. Gjatë vitit 2007, Çeh kishte deklaruar për "Daily Mail" se ndoshta do ta shqyrtojë mundësinë e transferimit në La Liga. "A mund ta imagjinoj veten duke luajtur deri në fund në Angli? Kësaj pyetjeje nuk mund t‘i jap një përgjigje. Deri më tani kam qenë shumë i lumtur te Çelsi dhe kam mësuar ta dua Premiershipin. Gjithashtu jam mësuar me jetën në Londër, mua dhe bashkëshortes sime na pëlqen ky qytet", kishte thënë portieri i Çelsit, deklarata që janë rikthyer menjëherë në qendër të vëmendjes, sapo emri i tij u lidh sërish me Barcelonën. "Gjithsesi, nëse një skuadër si Barça shfaq interes për ndonjë lojtar, mendoj se ia vlen ta shqyrtosh". Tashmë, pas dy vjetësh, është interesante të shohim reagimin e Çeh, nëse gjigantët spanjollë do të bëjnë një ofertë zyrtare për të siguruar shërbimet e tij.Ndërkohë, alternativat për portën "blaugrana" nuk mungojnë. një alternativë mjaft e mirë vlerësohet edhe Diego Lopez, një prej lojtarëve më të spikatur të Vijarealit. Emri i tij qarkulloi edhe gjatë nëntorit të vitit të kaluar, por Barcelona mohoi çdo lidhje me 27-vjeçarin, pasi drejtuesit e klubit shpresonin se do të gjenin akordin me Valdes. Kartoni i Diego Lopez kushton rreth 20 milionë euro, një shifër jo e papërballueshme për katalanët, nëse ata do të vendosin të shesin "gardianin" aktual.