02 prill 2009

As sponsorët nuk e duan Domenek

Raimond Domenek vazhdon të jetë një prej figurave më antipatike në Francë. Por, përveç tifozëve që e fërshëllejnë pothuajse pas çdo ndeshjeje, tekniku i përfaqësueses transalpine ka humbur edhe simpatinë mes sponsorëve. Për imazhin e 57-vjeçarit nuk është interesuar asnjë kompani, edhe pse që prej janarit ai i ka deleguar agjencisë së specializuar parisiene "Vip Consulting" gjetjen e sponsorëve të rinj. Zgjedhja e tij u kundërshtua me të madhe nga Federata Franceze, e cila është kundër komercializimit të futbollit edhe në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, sipas "Le Parisien", në tre muaj për Domenek kanë arritur vetëm pak propozime, duke llogaritur këtu edhe rinovimin e kontratave të mëparshme. "Nuk jemi në fazën e kërkimeve aktive për sponsorë", ishte justifikimi i Frank Hokemiler, drejtori i "Vip Consulting". "Domenek mbetet personi i dytë më i ekspozuar ndaj mediave në Francë, pas Presidentit të Republikës, Nikolas Sarkozi. Gjetja e sponsorëve do të varet edhe nga ecuria e Kombëtares në eliminatore: nëse Franca nuk kualifikohet në Botërorin 2010, kompanitë do të mendohen gjatë përpara se të na kontaktojnë". Ndërsa, sipas specialistëve të marketingut, trajneri nuk tërheq sponsorë, sepse "ai është një imazh kontrovers dhe mund të ketë sukses në fushën e reklamave, vetëm nëse shpallet kampion bote".