02 prill 2009
Ibrahimoviç: Do ta shkëmbeja titullin me Champions
Humbja kundër Mançester Junajtid në një të tetat e Champions League nuk i është hequr akoma nga mendja sulmuesit suedez të zikaltërve, Zlatan Ibrahimoviç, i cili, në një prononcim të djeshëm, ka bërë të ditur se "ajo kundër ‘Red Devils‘-ave ka qenë humbja më e dhimbshme e jetës sime". Dëshira për të fituar trofeun më të rëndësishëm në nivel klubesh është shumë e madhe dhe sulmuesi suedez rrëfehet në intervistën e tij më të fundit: "Nëse do të mundesha, do ta ndërroja titullin kampion të Italisë me kupën e Champions League". Nuk ka asnjë alibi për eliminimin kundër kampionëve në fuqi të Evropës: "Jemi Interi, ka thënë Ibrahimoviç. Dhe mos më flisni për mungesë fati në hedhjen e shortit: Unë e doja Junajtidin, sepse nëse dëshiron të fitosh, herët a vonë do të duhet ta mundësh. Por ata kanë demonstruar se janë më të organizuar: nëse del një dhe hyn një tjetër, që bën njëlloj punën, atëherë nuk ndihet diferenca. Nuk e ndjen, por ndryshimi ndodh".Viti i tretë tek Interi dhe i treti titull kampion i Italisë është shumë pranë, por edhe eliminimi i tretë në 1/8 e Champions League: "Këtë herë besoja vërtet, e pata rastin dhe nuk më pëlqeu që e humba, vazhdon ai. Nëse fitoj pesë tituj Italie është një nder i madh, por më mungon shumë Evropa". Sepse Ibrahimoviç në Itali ndjen se ka fituar katër tituj kampionë, dy me zikaltrit dhe dy me bardhezinjtë: "Titujt me Juventusin? Ka të drejtë Bufon që kërkon t‘ia rikthejnë. Edhe unë i kërkoj, edhe pse tani luaj tek Interi: janë të mitë. Nuk bëjmë shaka, kemi bërë gjithë ato sakrifica të mëdha, gjithë ato ditë për t‘i fituar. Restoja nuk më intereson".Të fitosh Champions do të të çonte thuajse drejt "Topit të Artë", a është ky objektivi final? "Jo. Unë dua Champions-in, luaj gjithmonë për të fituar, sepse ky është mentaliteti im, përgjigjet Ibrahimoviç. Nuk më nevojitet të fitoj ‘Topin e Artë‘ për të kuptuar se jam lojtari më i mirë në botë. Më të mirët nuk fitojnë gjithmonë. E rëndësishme është se unë ndihem numri një".Në fund një batutë për shokun e skuadrës, Baloteli: "Mario është më i gatshëm, por jo më i fortë. Në moshën 18-vjeçare luaja në Suedi, ai është tek Interi. Përreth ka shokë ‘top klas‘, edhe atmosfera është e ndryshme, këtu rritesh shumë më shpejtë".