23 prill 2009

Ançeloti: Na duhet një mbrojtës e një sulmues

“Eshtë një luftë e bukur për të vendosur radhën e atyre që meritojnë podiumin për budallallëkun më të madh”. Kur flet për të ardhmen, Karlo Ançeloti nuk është totalisht serioz. Trajneri i Milanit ka përsëritur edhe një herë qëllimin e tij për të qëndruar tek kuqezinjtë edhe për sezonin e ardhshëm, duke ia dhënë vendin e parë atij që ka shkruar “se më ka parë në Gjenevë në shoqëri të Florentino Perezit…” me vlerësimin “Bomba më e madhe” që ka pasur lidhje me të ardhmen e tij.
Më pas, Ançeloti ka theksuar edhe një herë tjetër dëshirën e tij për të qëndruar në “Milanelo” dhe për të shkruar faqe të reja në historinë e Milanit. “Po shkruaj një libër me kujtimet e mia, - ka thënë ai -dhe kjo është e vërtetë. Dua vetëm të ndihmoj “Fondacionin Borgonovo”. Ai i imi është një tregim i këtyre 30 viteve të kaluara në botën e futbollit.
Do të ketë edhe disa episode argëtuese”. Nuk dihet se cilët do të jenë protagonistët, por sigurisht do të jetë një lexim argëtues. Një argëtim që i ka munguar këtë vit Milanit. Një skuadër që ka gjetur ritmin e duhur vetëm në fazën e dytë të kampionatit, një faktor ky që është analizuar nga Ançeloti, duke menduar për dëmtimet e shumta.
“Ka lojtarë që janë dëmtuar pa luajtur asnjë herë. Mendoj për Nestën dhe për Borrielon, ka qenë një vit i tmerrshëm. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një skuadër të ketë pasur në një sezon të vetëm shtatë lojtarë të operuar”. Ky është problemi i parë për t’u kaluar, më pas vjen Alegri. Dikush me sa duket e pëlqen dhe e mbështet kalimin e trajnerit të Kaljarit në drejtim të Milanit. Por Ançeloti nuk duket i shqetësuar nga këto zëra.
“Sinqerisht nuk më intereson. Ndonjëherë dalin emra për të mbajtur gjallë interesimin e njerëzve në fund të sezonit. Nuk më bën më përshtypje”. Në lidhje me ofertat dhe kontaktet që mund të ketë pasur nga skuadrat e huaja. “Sezonin e kaluar u takuar me Abramoviçin dhe më pas nuk është arritur asnjë marrëveshje. Nga ajo ditë nuk kam pasur më asnjë kontakt.
Dhe e njëjta gjë vlen edhe për Realin e Madridit”, ka thënë tekniku milanist, i cili më pas ka konfimruar dëshirën e tij për të qëndruar tek kuqezinjtë. “Po është e vërtetë që dua të qëndroj këtu. Dhe drejtuesit nuk kanë asnjë kundërshtim”. Pikërisht para disa ditësh Silvio Berluskoni ka thënë se Milani është i fortë edhe kështu si është.
“Të gjithë ne e dimë se me një mbrojtës dhe një sulmues kjo skuadër do të vazhdojë të qëndrojë në nivele të larta dhe të luftojë për të gjitha objektivat e rëndësishëm”. Në fund Ançeloti ka dhënë edhe një këshillë për investimin e sigurt të parave. “Cilado qoftë mundësia ekonomike, i këshilloj të gjithë të vënë bast mbi qëndrimin tim tek Milani, pasi fitimi është i sigurt”.