Tashmë është vetëm çështje orësh, por historia midis Adrianos dhe Interit ka ardhur me të vërtet në fund. Ish-”Perandori”, në fakt, ka pranuar të prishë kontratën me klubin zikaltër që, përndryshe do t’i ishte drejtuar Kolegjit të Legës për prishjen e njëanshme të kontratës për shkak të mosrespektimit të saj nga ana e lojtarit. Dokumentat që do të vulosin fundin e aventurës zikaltër të Adrianos janë gati dhe në orët në vazhdim do të depozitohen në Federatën Italiane të Futbollit.
Pas pothuajse tetë vitesh, 177 paraqitje 74 gola, karriera italiane e Adrianos është ndërprerë në mënyrën më të keqe. Menaxheri i Adriano, Zhilmar Rinaldi pritet të vijë nesër në Itali për të mbyllur detajet e fundit të prishjes së kontratës, ndërsa të shtunën gjërat duhet të mbyllen përfundimisht, pasi Adriano me sa duket e ka gjetur skuadrën e tij të re: është Flamengo në Brazil, me të cilën do të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare dhe “Perandori” duhet të jetë gati më 9 maj.