02 shkurt 2009
Spaleti u del në mbrojtje të tijve
Sërish Loria midis të akuzuarve te Roma, duke qenë se goli i barazimit nga ana e Rexhinës erdhi pikërisht për shkak të një pavendosmërie të mbrojtësit, i cili kishte vetëm pak minuta që kishte hyrë në fushë, duke zëvendësuar Tadein. Gjithsesi, trajneri Luciano Spaleti i ka dalë në mbrojtje lojtarit të tij. “Loria nuk pagoi asgjë. Në disa raste, kur nuk luan shumë, të ndodh që të kesh disa vështirësi për të dhënë më të mirën tënde. Unë personalisht jam i kënaqur nga Loria”, - tha trajneri i verdhekuqve. Mirëpo, në fakt, sfida me Rexhinën ishte një rast i mirë për të marrë tri pikët. “Unë flas për rezultate, por mbi të gjitha shikoj paraqitjen e skuadrës, pasi duhet një mënyrë logjike për të analizuar. Për mua, skuadra luajti shumë mirë”, – theksoi ai. E më pas, një tjetër konsideratë për një futbollist të tijin: “Akuilani mori një goditje në këmbë gjatë stërvitjes dhe deri ditën e shtunë nuk arrinte dot as të ecte. Por përsa i përket rendimentit dhe mundësive, ai është ende në formën e tij maksimale. Gjithsesi, duhet të jemi të kujdesshëm, sidomos në fusha të tilla, si ajo e Rexhio Kalabrias’. Me pak fjalë, Luciano Spaleti u del krah futbollistëve të tij për barazimin me Rexhinën. Në fakt, ekipi kryeqytetas ishte më dominues në fushën e blertë, por nuk mundi dot të ruajë kryesimin e krijuar, pasi u penalizua nga një gabim i një mbrojtësi pa shumë eksperiencë si Loria. Dy pikë të humbura në një moment me të vërtetë të papërshtatshëm, duke parë edhe rezultatet e rivalëve për kreun e renditjes, të cilët gjithashtu nuk arritën të marrin maksimumin në sfidat e tyre.