28 shkurt 2009

Ranieri: Tani e ka radhën Napoli

Trajneri i bardhezinjve i ka kërkuar ekipit të tij të përqendrohet tek kampionati
Ranieri: Tani e ka radhën Napoli
Çelsi tashmë është lënë mbas krahëve dhe Klaudio Ranieri ka kërkuar që Juventusi të përqendrohet tek pengesa e radhës, Napoli. “E dimë që na pret një ndeshje shumë delikate kundër një skuadre që nuk po kalon një periudhë shumë të mirë”, ka thënë trajneri bardhezi. Dhe më pas ka vazhduar: “Ndeshjet janë shumë afër njëra-tjetrës, na takon ne të nxjerrim thonjtë për t’i treguar botës se kush jemi”. Dhe për Juventusin, Milani i eleminuar nga Kupa UEFA është një problem: “Nuk e prisja, - ka thënë Ranieri. - Tani i ka mbetur vetëm kampionati. Fishkëllimat ndaj Ançelotit? Në futboll nuk egziston mirënjohja, duhet të përpiqesh të fitosh gjithmonë. Mirënjohja ka munguar gjithmonë. Por këto janë momente që t’i i veçon dhe të ndihmojnë për të vazhduar përpara”. Në lidhje me vendimin e Pavel Nedvedit për t’u tërhequr nga futbolli në fund të këtij sezoni: “Nuk jam i befasuar nga fjalët e tij, - ka vazhduar tekniku juventin. - Kjo është hera e parë që Pavel e deklaron një gjë të tillë dhe për këtë duhet respektuar. Vendimi i tij nuk na shkakton probleme, por ai që do të vijë në vendin e tij do të ketë nevojë për kohë për t’u përshtatur me lojën e një skuadre si Juventus”. Për atë që do të zëvendësojë Nedvedin flitet gjithmonë për Diegon, i cili ka shkëlqyer edhe në “San Siro”: “Ka luajtur shumë mirë, por nuk besoj se kjo është një gjë e re”.
IAKUINTA FITON NE GJYKATE Nuk po luan shumë, por ndërkohë ka fituar në gjykatë. Në fakt, Vinçenco Iakuinta, është shpallur i pafajshëm nga një gjykatës i Pavias, i cili ka gjykuar sulmuesin juventin në bazë të akuzës për mospagimin e drekës së dasmës së tij, që është zhvilluar në 2003-in. Iakuinta ka zgjedhur një restorant në Pavia për të organizuar banketin për martesën e tij me Ariana Kuçinotën. Të ftuarit ishin 250. Por, sipas Iakuintës, vetëm 130 kanë qenë të pranishëm: 120 të tjerët kanë qenë të detyruar të largoheshin, pasi nuk kishte ushqim për të gjithë. Futbollisti nuk ka pasur dyshime: bëhej fjalë për një organizim të keq, kështu pasi kishte bërë një parapagesë prej 5 mijë eurosh, ka refuzuar të paguajë pjesën tjetër. Në këtë pikë drejtuesit e restorantit, kanë vendosur ta hedhin në gjyq, duke pretenduar pagesën e shumës së mbetur (në total 16 mijë euro). Çështja ka përfunduar në gjykatën e Pavias, ku gjykatësi i ka dhënë të drejtë Iakuintës.
FRAKTURE PER KAMORANEZIN - Rezultatet e ekzaminimeve që i është nënshtruar Mauro Xherman Kamoranezi, i cili nuk e ka përfunduar ndeshjen kundër Çelsit për shkak të një dëmtimi, kanë treguar një frakturë në brinjën e nëntë të krahut të majtë. Mesfushori i pafat juventin, i cili është goditur nga një sërë dëmtimesh që nga fillimi i sezonit, do të duhet të qëndrojë pushim për disa javë, që do ta ndihmojnë edhe për të kaluar problemin muskulor në kofshën e djathtë, që e shqetëson lojtarin prej kohësh.
PELQEHET EDHE DEKO - Ndërsa Diego mban pezull Juven me fraza “diplomatike” përpara gazetarëve italianë (”Jam i lumtur që bardhezinjtë interesohen për mua, por për momentin mendoj vetëm për Vedrerin”), Alesio Seko ndjek edhe objektivë të tjerë. Drejtori sportiv i Juventusit i ka kërkuar informacione Çelsit mbi Dekon. Portugezi, i kërkuar nga Skolari, nuk po gjen më shumë hapësira me Hidinkun. Kushton më pak, por paguhet më shumë. Zgjidhja mund të jetë marrja me formulën e borxhit.