26 shkurt 2009
Van Persi e Venger: Duhet të shënonim më shumë
Nga përballja e “Emirates Stadium” ndërmjet Arsenalit dhe Romës priteshin më shumë gola dhe emocione, mirëpo në fund, ajo që ka vendosur fatin e takimit ka qenë vetëm një penallti e realizuar saktësisht nga Robin van Persi. Gjithsesi, një rezultat shumë i ngushtë si ai 1-0 nuk kënaq, e aq më pak të sigurojë për arritjen e kualifikimit, golashënuesin e “topçinjve”. “Sigurisht që ndaj Romës patëm shumë mundësi për të shënuar, por si përfundim konkretizuam vetëm një njëmbëdhjetëmetërsh, - deklaron mesfushori holandez. – Padyshim që një rezultat i tillë nuk na jep asnjë garanci për ndeshjen e kthimit në Romë, por që gjithsesi është më mirë të shkojmë në Itali me një gol më shumë se kundërshtari, sesa thjesht me një barazim”. Robin Van Persi është mjaft i gëzuar që ka fituar sfidën me verdhekuqtë italianë, por në të njëjtën kohë është ndjerë i nderuar që ka luajtur përballë një kampioni si Françesko Toti: “Është një lojtar i jashtëzakonshëm, i cili ndonëse dukej qartë që nuk gëzonte një formë të mirë fizike, ishte sërish pika e referimit për skuadrën”, përfundon holandezi Van Persi. Përveç tij, edhe Venger kërkonte më shumë nga skuadra e vet ndaj Romës dhe për një gjë të tillë fajëson sulmuesit. “Përgjithësisht jam i kënaqur nga loja, por jo nga ajo e sulmuesve të mi. Krijuam shumë raste, por nuk konkretizuam asnjë, me përjashtim të penalltisë. Nëse kërkon të ecësh përpara në Ligën e Kampioneve, duhet të tregohesh i pamëshirshëm përpara portës kundërshtare”.