26 shkurt 2009
Karlo Ançeloti: Duamfinalen e Kupës UEFA
Trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, në prag të ndeshjes së sotme ndaj Verder Bremenit argumenton objektivat e rinj të shtëpisë kuqezi. Duke i parë zikaltrit e Interit shumë larg në kampionat, kreu i pankinës i kërkon skuadrës së tij të japë maksimumin në Kupën UEFA, e më pas ta mbyllë kampionatin në katër vendet e para, që i japin mundësinë Milanit të luajë në Ligën e Kampioneve sezonin që vjen: “Nesër (sot) do luajmë ndaj Verderit për Kupën UEFA, e duhet ta konsiderojmë këtë sfidë sikur të ishte një ndeshje e rëndësishme për Ligën e Kampioneve. Objektivi ynë primar për momentin është ta mbyllim kampionatin në tri vendet e para, –thekson Ançeloti – por ama duam edhe finalen e Kupës UEFA. Dhe nëse do kualifikohemi ndaj Verderit, atëherë rruga jonë drejt finales do të ishte një objektiv mëse i mundshëm”. Përgjigjja ndaj kritikave – Ançeloti tani ka mundësinë më të mirë për t’u kthyer përgjigjen e duhur kritikave të presidentit Berluskoni dhe vërshëllimave të tifozerisë kuqezi. “Jemi mësuar ta administrojmë mirë presionin e kjo gjë nuk na tremb më. Madje, presioni i madh më karikon të jap maksimumin tim”, siguron tekniku kuqezi, të cilit ndaj Verderit do i duhet të luajë pa Ronaldinjon dhe Kakanë. Madje ky i fundit rrezikon të mos jetë as i grumbulluar për sfidën ndaj Verderit. Formacioni – “Nuk do ketë rotacion. Ndaj Verder Bremenit nuk do kemi Kakanë dhe Ronaldinjon, ndërsa Shevçenko e Pato janë rikuperuar. Në mbrojtje do aktivizoj Bonerën, - pohon Ançeloti. –Kurse në mesfushë, Bekhami dhe Flamini do luajnë që nga minuta e parë. Edhe Inzagi do luajë që në fillim në sulm, pasi dëshiron të realizojë një objektiv të rëndësishëm. Dhe kur SuperPipo i vë vetes objektiva të rëndësishëm, vështirë se gabon përpara portës kundërshtare”. Hipotezat e shitjes – Mirëpo kur trajnerit Ançeloti i është kërkuar të bëjë një koment mbi mundësinë që klubi i Milanit t’ia shesë 40% të aksioneve sheikut Mansour, ai nuk ka preferuar të flasë. “Është një problem i karakterit administrativ, ndërkohë që unë merrem me çështjet teknike. Kështu që nuk mund të përgjigjem”, ka thënë tekniku i pankinës së Milanit.