28 shkurt 2009

Klinsmann hedh poshtë spekulimet për kalim në City

Trajneri i Bayern Munichut, Jurgen Klinsmann, i ka hedhur poshtë spekulimet të cilat e kanë lidhur atë me një kalim në Manchester City.
Mediat gjermane shkruan se City dëshiron ta zëvendësojë trajnerin aktual Mark Hughes me Jurgen Klinsmann. Gjermani është nën presion të madh tek Bayerni për shkak të disa ndeshjeve të dobëta në Bundesligë. Megjithatë, ish-përzgjedhësi i kombëtares gjermane ka mohuar se dëshiron të largohet nga Allianz Arena. “Gjithmonë ju them lojtarëve të mi si Frank Ribery, se spekulimet se një klub tjetër ju dëshiron janë një kompliment për Bayernin dhe vetë ju. Nëse i dëgjoni ofertat, duhet të jeni krenar dhe kjo iu pëlqen edhe menaxherëve dhe trajnerëve si edhe lojtarëve”, thotë Klinsmann. “Por, unë kam marrëveshje me Bayernin deri në fund të sezonit të ardhshëm dhe mendoj vetëm për këtë dhe si të fitoj sa është e mundur më shumë trofe në këtë periudhë”, ka shtuar trajneri.