26 shkurt 2009

Dinamo bën sërish të heshtë "Loro Boriçin"

Në dy muaj Dinamo shokon për të dytën herë radhazi Vllazninë, por këtë herë në Kupën e Shqipërisë. Protagonist është i njëjti lojtar, Sebino Plaku, autori i golit të vetëm të fitores 1-0 më 26 dhjetor 2008, por që dje ka firmosur sërish kapitullimin e shkodranëve në fortesën e tyre "Loro Boriçi" me golin 2-1. Gjithçka ka ndodhur në një takim që në fillimin e tij u duk si dita perfekte e vendasve për t‘u hakmarrë ndaj bluve. Shkodranët e nisën takimin me një gol shumë të shpejtë: pas vetëm 100 sekondash shikojnë veten në avantazh me golin e Vioresi Sinantit, që mbylli në mënyrën më të mirë një aksion dhe asit të ganezit Xhejms Boadu. Goli i realizuar nga bomberi solli entuziazëm në stadium. Gjërat u dukën jo shumë të vështira për Vllazninë, e cila edhe më pas e administroi lojën, duke krijuar disa raste, mes të cilave veçohet shtylla e tronditur nga mesfushori Boadu, pas një roveshate të mrekullueshme. Çdo gjë po ecte sipas planeve të trajnerit të shkodranëve, Agim Canaj. Por pikërisht atëherë kur pritej vërshëllima për të shkuar në pushimin e ndeshjes, është Sefa që nxjerr nga repertori i tij një gol me kokë, i cili i dërgon skuadrat të barabarta (1-1) në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë e ndeshjes ishte më e ekuilibruar, por me një epërsi gjithmonë në rritje nga ana e Dinamos. Pas 57 minutash vendasit duhet të luajnë me një lojtar më pak, pasi Lici ndalon në mënyrë të parregullt Sefën dhe gjyqtari nuk i kursen një karton të kuq. Në minutën e 70-të ndodhi edhe ajo që nuk pritej: Sebino Plaku, njeriu anti-Vllazni, fiksoi edhe golin e avantazhin 2-1 për blutë. Përpjekjet e shkodranëve nuk rreshtin deri në minutat e fundit, duke u hedhur të tërë në sulm. Krijon pak raste, por edhe rrezikon të pësojë golin e tretë. Në fund, nuk mund të bëjë më shumë se të dorëzohet para kësaj Dinamoje të orkestruar nga Shkëlqim Muça. "E filluam keq ndeshjen, të paktën në 20 minutat e para. Duhet ta kishim mbyllur kualifikimin qysh në ndeshjen e parë, pasi patëm një rast të pastër për të shënuar edhe golin e tretë. Mbetja e Vllaznisë me dhjetë lojtarë na e lehtësoi punën", tha pas ndeshjes trajneri i Dinamos. Me këtë fitore në transfertë blutë hedhin një hap të madh drejt gjysmëfinales. Por verdiktin përfundimtar do ta thotë 90-minutëshi i kthimit më 11 mars në kryeqytet. Sipas llogarive për ndeshjen e kthimit, në favor të Dinamos janë tre rezultate të mundshme, fitorja, barazimi, por edhe humbja 1-0. Një humbje 2-1 do ta çonte ndeshjen drejt gjuajtjes së 11-metërshave. Ndërsa një humbje me 2 gola të pësuar do ta kualifikonte Vllazninë. Me fitoren e djeshme, Dinamo ka thyer edhe një tabu 15-vjeçare në Kupë, pasi nuk fitonte ndaj Vllaznisë që nga 15 janari 1994. Në edicionin e kaluar të Kupës, të dyja ekipet u përballën në gjysmëfinale: Vllaznia fitoi 4-0 në Shkodër dhe 3-0 në Shijak, por nuk munguan akuzat për marrëveshje mes klubeve "të lë kupën, më lër kampionatin". Ekziston frika për përsëritjen e të njëjtit skenar edhe në këtë edicion, ku skuadrat vetëm sa kanë ndryshuar vendet.

KUPA E SHQIPËRISË
ÇEREKFINALET

GRUPI A

Vllaznia-Dinamo 1-2
Shkumbini-Besa 1-1

GRUPI B

Flamurtari-Partizani 1-0
Tirana-Elbasani 0-0

Ndeshjet e kthimit luhen më 11 mars 2009