26 shkurt 2009

Lisandro Lopez “premton” kualifikimin në “Dragao”

Kampionët e Portugalisë u ndodhën dy herë në disavantazh, por arritën të barazojnë falë kryegolashënuesit të Ligës së Kampioneve, Lisandro Lopez, duke e mbyllur takimin e parë 2-2. Porto shpërdoroi disa raste të tjera të pastra përgjatë 90 minutave dhe pa gabimin trashanik të portierit të tyre, duke i falur një gol të dytë Atletikos së Madridit, mund të kishte dalë me një fitore të rëndësishme nga “Vinsente Kalderon”. Lopez, i cili shënoi dy golat për Porton dhe kryeson i vetëm listën e golashënuesve të kompeticionit evropian, thekson se skuadra e tij e meritonte fitoren. ”Megjithëse është një rezultat i kënaqshëm, ne mund të kishim shënuar më shumë gola, po të ishim treguar më të zgjuar e më të qetë në momentin e finalizimit, - shprehet Lisandro. - Ne donim fitoren, pasi ky do të kishte qenë një rezultat shumë pozitiv. Ende çdo gjë mbetet e hapur, por megjithëse dhe ndeshja në ‘Dragao’ pritet të jetë e vështirë, ne besojmë dhe duam me çdo kusht të kualifikohemi”, përfundon Lopez.