27 shkurt 2009

“Kur Sezar ishte rezerva ime...”

Ish-portieri legjendar italian, Luka Markexhiani, tani komentator në “Sky Sport”, flet për paraqitjet e para të portierit brazilian të Interit, Hulio Sezar, gjatë kohës kur ishte portier rezervë te Kievo. Markexhiani, si ishte si portier rezervë Hulio Sezar te Kievo? Mbaj mend se që në fillim ka treguar aftësitë e tij të shkëlqyera si portier. Sezarin e kam parë të stërvitej në fushë çdo ditë, sikur do lunte çdo ditë një ndeshje zyrtare. E asaj kohe ishte rezerva ime te Kievo. Tashmë, duke marrë në konsideratë faktin që është portieri më i mirë në botë, mund të krenohem edhe unë me të. Sezar është më i mirë, apo një nga më të mirët? Besoj se për momentin është portieri më i mirë në botë. Duke marrë në konsideratë gjithçka që ka bërë gjatë këtij sezoni, ai është numri një në botë. Por megjithatë, mua më pëlqen të them se aktualisht në botën e futbollit ka një grup portierësh fantastikë. Mund të na përmendni disa emra? Padyshim që nuk mund të lë pa përmendur një portier si Bufon, Kasijas, Cek dhe Van Der Sar, për atë ç’ka kanë bërë gjatë viteve të fundit. Pastaj vijnë Frei dhe Hulio Sezar. E meqenëse ne në Itali krahasojmë çdo portier me Bufonin, jam i mendimit se braziliani për momentin është edhe më i miri në Itali dhe në botë. Ç’mund të na thoni për eksperiencën veroneze të Hulio Sezarit? Arriti të “thithte” gjithçka nga ajo eksperiencë e parë. Sezar ka qëndruar te Kievo për gjashtë muaj. E gjatë kësaj kohe ka bërë çdo përpjekje për të kuptuar metodat e futbollit italian. Atij nuk i duhej të tregonte se ishte një portier i zoti, sepse cilësitë e tij kishin dalë në pah që kur ishte në Brazil. Por nga kjo ka përfituar për të korrigjuar sa më mirë sjelljen tipike të shkollës braziliane. Për shembull? Portierët brazilianë dalin shumë nga porta dhe gabojnë shpeshherë në pozicionim. Ndërsa Hulio Sezarin se kam parë një herë të dalë nga zona i pasigurt për faktin nëse do të arritë të ndalte topin. Çfarë e ka ndihmuar më shumë gjatë këtij procesi adaptimi? Inteligjenca dhe devotshmëria. Kur erdhi te ne kishte fituar Kupën e Amerikës, por përballoi kampionatin italian dhe pankinën te Kievo me një seriozitet të madh. Dukej qartë që ishte një njëri me ambicie të
mëdha. Më pas, fakti që shkoi tek Interi e ka stimuluar siç duhet. Tani është portieri më i mirë në botë.