26 shkurt 2009
Gatuzo: Pa Champions, jemi të falimentuar
Xhenaro Gatuzo vazhdon të jetë i dëmtuar, por edhe pse larg fushave të gjelbra, gjen fjalët e duhura për të motivuar shokët e tij: “Duhet të kualifikohemi në Champions për sezonin që vjen”. Mesfushori kuqezi po rikuperohet dukshëm nga dëmtimi që pësoi në gju, e deri sa të riaftësohet plotësisht, është i detyruar t’i ndjekë shokët e tij në fushë nga tribuna e “San Siros”. Pikërisht nga ajo tribunë, nga ku kanë ardhur disa vërshëllima në shenjë proteste kundër Sedorfit dhe Ançelotit disa ditë më parë. “Të shikosh stadiumin që vërshëllen një shok skuadre është e vështirë. Padyshim që Milani nuk po përjeton një moment të mirë, por nga tifozeria pres që t’i qëndrojë sa më pranë skuadrës e ta ndihmojë atë të arrijë objektivat sezonalë. Nëse Milani nuk kualifikohet në Champions sezonin që vjen dhe në rast se nuk arrin të fitojë Kupën UEFA, atëherë ky sezon do ishte për t’u harruar”. Ndër të tjera, mesfushori i kuqezinjve ka folur edhe për sulmuesin e Juventusit, Amaurin. Ai u shpreh fare qartë, teksa tha se nuk do ishte i mirëpritur prej tij në përfaqësuesen italiane: “Amauri është një kampion, por jam i mendimit se e ka administruar shumë keq këtë çështje. Në fillim pret Brazilin, e pastaj thotë se dëshiron të luajë me Italianë. Ne nuk jemi Azerbajxhani apo Finlanda, por Italia, e cila është shpallur katër herë kampione e botës, - theksoi ai. - Më duket e drejtë që Amauri të luajë për Brazilin e jo për Italinë”, përfundoi Xhenaro Gatuzo.