26 shkurt 2009

“Inter e Roma kualifikohen”

Marçelo Lipi, trajneri i përfaqësueses italiane të futbollit, është shumë optimist pas sfidave të para të zhvilluara nga dy ndër tri skuadrat italiane në Ligën e Kampioneve. Interi barazoi 0-0 në “San Siro”, ndërsa Roma u ndal në transfertë vetëm pas një penalltie. “Sigurisht që përpara këtyre sfidave, Interi dhe Roma ëndërronin krejtësisht një tjetër rezultat nga ata të arriturit, por kam shumë besim se për ndeshjet e kthimit do të jenë sërish dy formacionet italiane, skuadrat e favorizuara për të vazhduar në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Interi ka dy ndër tri rezultate për të vazhduar më tej, pasi fitorja dhe një barazim me gola do t’i kalonin më tej zikaltrit. Ndërkohë, Roma ka ndeshjen e kthimit në fushën e saj, në të cilën ka treguar se rrallëherë gabon. Arsenali nuk është Mançesteri, kështu që verdhekuqtë fitojnë 2-0 dhe avancojnë në aventurën evropiane”, është shprehur Lipi.