28 shkurt 2009

Ajaksi, kundërshtari i Marsejës, por Lorik Cana dëmtohet përsëri

Ndërsa mësohet se Olimpik Marseja do të përballet me Ajaksin e Amsterdamit në turin e një të tetave të Kupës UEFA, pas atij kualifikimi me shumë emocione ndaj Tventes (7-8 në total pas gjuajtjes së penalltive), skuadra franceze pëson një goditje të rëndë. Mesfushori shqiptar, Lorik Cana, i sapo rikthyer nga një dëmtim i gjatë (rreth 2 muaj e gjysmë), është dëmtuar sërish. Sipas medias franceze, në ndeshjen ndaj Tventes, Cana ishte një ndër lojtarët më të mirë në fushë deri në minutën e 94-t, kur kërkoi të zëvendësohej, pasi ndjente dhimbje në gju. Dëmtimin e konfirmoi dhe trajneri Erik Gerets. Cana ka luajtur një ndeshje të madhe, por nuk mundej të vazhdonte më tej, tha Gerets. Ai u është nënshtruar kontrolleve mjekësore në gurin e dëmtuar". Shpresohet për një dëmtim të lehtë, por edhe pse është grumbulluar për ndeshjen e të dielës kundër Kanës, është shumë e mundur që Cana të mos jetë i disponueshëm për t‘u aktivizuar. Pas kualifikimin ndaj Tventes, Cana u shpreh: "Ashtu siç e kishim dhe parashikuar, ishte një ndeshje e vështirë. Tvente nuk kishte fituar rastësisht në shtëpinë tonë (0-1). Për fat ia dolëm dhe jemi 1/8 e Kupës UEFA. Kemi ambicie të mëdha në këtë kompeticion, nënvizoi Cana. Kjo ndeshje na rifuti sërish në garë. Do të bëhemi akoma më shumë ambiciozë. Kemi dëshirë të shkojmë në finale. Ndërsa në turin e 1/8, Cana&Co kanë si kundërshtar Ajaksin, ish-skuadrën me të cilën trajneri aktual i Shqipërisë Ari Han fitoi Kupën e Kampioneve në 1971-1972 pikërisht kundër Marsejës. Marseja dhe Ajaksi janë përballur edhe dy herë të tjera në Kupat e Evropës. Për herë të parë janë përballur në një të tetat e çerekfinaleve të Kupës së Kampioneve në sezonin 1971/1972, ku Ajaksi do të fitonte 1-1 ndeshjen e parë në "Velodrome". Në ndeshjen e kthimit holandezët triumfuan me rezultatin e thellë 4-1, ku autorët e golave ishin Krujf (dopjetë), Sjak Svart dhe Ari Han, trajneri aktual i Shqipërisë. Atë vit Ajaksi fitonte edhe titullin e kampionit të Evropës. Ndërsa në sezonin 1987-1988 janë përballur sërish, këtë herë në gjysmëfinalen e Kupës së Kupës. Ndeshjen e luajtur në Francë e fitoi sërish Ajaksi me rezultatin 3-0, ndërsa në atë të kthimit në shtëpi pësoi një humbje 2-1, por megjithatë u kualifikua për në finale, ku do të mundej 1-0 nga belgët e KV Mechelen.