27 shkurt 2009

Milan përjashtohet edhe nga Kupa UEFA

Skuadra e Milanit ka barazuar në San Siro me rezultat 2-2 përballë Werder Bremenit, për t’u eliminuar nga gara ku i kishte shpresat më të mëdha për ta fituar. Ekipi gjerman me plot meritë vazhdon garën e mëtutjeshme në Kupën UEFA, pasi që në takimin e të enjtes mbrëma ishte skuadër shumë më e mirë në fushë sesa ekipi vendas. Edhe pse Rossonerët krijuan epërsi të dyfishtë, ata si rëndom në ndeshjet e këtij sezoni, nuk arritën të mbaheshin deri në fund të takimit, dhe kështu u dënuan nga Werderi. Golin e parë në ndeshje e shënoi Andrea Pirlo nga pika e bardhë (26’), ndërsa dyfishoi Alexandre Pato (33’). Mirëpo, mysafirët krijuan presion të vazhdueshëm gjatë gjithë pjesës së mbetur të lojës dhe në këtë mënyrë arritën të shënojnë dy herë me anë të Claudio Pizzaros brenda dhjetë minutash (68’ dhe 78’), për të vazhduar më tutje garën, pasi që ndeshja e parë e zhvilluar në Bremen përfundoi me rezultat 1-1.